Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Psikologjisë “Shëndeti Mendor në shkollë: Intervenimet e bazuara në evidencë” të mbajtur në ambientet e Fakultetit Filozofik.
Në fjalën e tij kryeministri Kurti thekosi se shëndeti mendor është element thelbësor për zhvillimin personal, komunitar e socio-ekonomik. Në lidhje me këtë, tha se Qeveria e Kosovës, e cila beson fuqishëm në potencialin e kapitalit tonë njerëzor, ka zhvilluar politika të cilat fokusohen në fëmijët dhe të rinjtë të cilët janë boshti i orientimeve tona ndërsektoriale në arsim, shëndetësi, mirëqenie, kulturë, sport e ekonomi.
Derisa kurrikula e re për moshën 0-6 vjeç është në finalizim, Kryeministri shtoi se po e rrisim qasjen e fëmijëve në edukimin e hershëm ku rrjedhimisht kemi rritur dukshëm edhe numrin e profesionistëve mbështetës që ndihmojnë në zhvillimin e nxënësve, siç janë asistentët e psikologët.
“Ashtu që askush të mos mbetet mbrapa, në dy vite, janë angazhuar mbi 160 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Për vitin 2023, kemi buxhetuar 300 asistentë, ndërkaq mandatin synojmë ta përmbyllim me 500 asistentë”, deklaroi Kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Psikologjisë, është duke i kushtuar vëmendje parandalimit dhe adresimit të dhunës, dhe ngacmimeve në shkolla, me ç’rast kryeministri Kurti theksoi se gjatë vitit të kaluar janë trajnuar më shumë se 200 profesionistë.
Paralelisht më këtë, kryeministri tregoi se për një qasje gjithëpërfshirëse, është themeluar Forumin Nacional për Shkollat Miqësore me emërtimin “Rritemi Bashkë”, forum ky i cili avokon, promovon e koordinon zbatimin e politikave të sigurisë dhe të zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve e të të rinjve.
Gjatë konferencës, vëmendje kryeministri i dha edhe punimit të profesorëve të Departamentit të Psikologjisë, të publikuar para 3 viteve, i cili përveç të dhënave të dobishme për politikbërje, vë në pah edhe rëndësinë e klimës shkollore, si dhe dukshmërinë e ndërlidhjes së saj me nivelin e dhunës dhe viktimizimit.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri përsëriti që kohën t’ua përkushtojmë fëmijëve sepse ata janë e tashmja dhe e ardhmja e këtij brezi. Ai uroi që konkludimet e kësaj konference të nxjerrin në pah sfidat dhe të ofrojnë rekomandime të vlefshme që mund të përdoren nga të gjithë hisedarët
Fjala e plotë e kryeministrit:
Ju faleminderit shumë për ftesën dhe për këtë mundësi të bashkëbisedojmë sot këtu për një temë kaq shumë të rëndësishme.
Të gjithë kemi rastin kur jemi para një situate të pa përjetuar më herët, dhe e pyesim veten: cila është zgjidhja që duhet të marrim, çfarë rruge të ndjekim? Pra, cilat janë ato udhë, ato shtigje që ta përballojmë më mirë, më drejtë, më shpejt situatën në të cilën ndodhemi?
Ndonjëherë plotësimi i nevojave tona kërkon udhëzime dhe praktika të veçanta. E herë të tjera hyjmë në role të reja, ndonjëherë jo të lehta, në ndërveprime, ndonjëherë të vogla, e herëve tjera më të mëdha. Por gati se asgjë tjetër nuk e kërkon vëmendje më të madhe të njohjes e mbështetjes, se sa mirëqenia e fëmijëve. Atëherë kur janë në shtëpi, në shkollë, në komunitet, me shokë e shoqe, më mësimdhënës, me prindër, gjyshër, motra e vëllezër, e në shumë forma të tjera.
Të jemi në gjendje ta imagjinojmë kreativitetin dhe imagjinatën e fëmijëve, në fakt është një lloj sfide gati e paimagjinueshme e jona. Ajo kërkon tejkalim të barrierave e adresim të sfidave që mund t’i kenë. Kërkon edhe inkurajim e mbështetje të madhe individuale, shoqërore por edhe institucionale.
Për zhvillimin personal, komunitar e socio-ekonomik besoj se është thelbësor shëndeti mendor. Si pjesë integrale e mirëqenies, shëndeti mendor i mbështjellë aftësinë tonë individuale e kolektive për të marrë vendime, për të krijuar marrëdhënie e për ta formësuar botën në të cilën jetojmë e veprojmë.
Si Qeveri e Kosovës besojmë fuqishëm në potencialin e kapitalit tonë njerëzor. Andaj po zhvillojmë politika që e maksimizojnë atë në mënyrë holistike. Fëmijët dhe të rinjtë janë fokusi ynë parësor në këtë drejtim. Ata janë boshti i orientimeve tona ndërsektoriale në arsim, shëndetësi, mirëqenie, kulturë, sport e në ekonomi. Një themel i fortë në fëmijëri dhe rini, çon në jetë më të shëndetshme, më të lumtur e më produktive.
Po e rrisim qasjen e fëmijëve në edukimin e hershëm dhe po e finalizojmë kurrikulën e re për moshën 0-6 vjeç. Ndërkohë, kemi rritur dukshëm numrin e profesionistëve mbështetës që ndihmojnë në zhvillimin e nxënësve, siç janë asistentët dhe psikologët.
Ashtu që askush të mos mbetet mbrapa, në dy vite, janë angazhuar mbi 160 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Për vitin 2023, kemi buxhetuar 300 asistentë, ndërkaq mandatin synojmë ta përmbyllim me 500 asistentë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po bashkëpunon ngushtë me Departamentin e Psikologjisë për monitorimin dhe vlerësimin e nevojave të shkollave.
Po i ipet vëmendje parandalimit dhe adresimit të dhunës, dhe ngacmimeve në shkolla. Me qëllim të përmirësimit të qasjes në shërbimet e shëndetit mendor dhe psiko-social për fëmijët dhe familjet, gjatë vitit të kaluar janë trajnuar më shumë se 200 profesionistë.
Qasja në shërbime më të mira për qytetarët tanë, e veçanërisht për të rinjtë dhe fëmijët e vendit tonë, në shkolla, spitale, në rrugë dhe lagje, është detyrë dhe përgjegjësi e jona e përbashkët. Institucionet me gjithë mekanizmat e zyrtarët e vet duhet ta kuptojnë rëndësinë dhe peshën e kësaj detyre. Shërbimi ynë është i domosdoshëm, sepse jemi të zgjedhur për detyrat që na janë besuar. Përgjigja jonë, duhet të jetë me dije e kompetencë në shërbim të tyre. Veprimi ynë, kërkon maturi dhe mirësi, dashamirësi për njëri-tjetrin.
Prandaj, na duhen edhe mësuese e mësues të zotë. Psikologë e pedagogë të vëmendshëm. Punëtorë social e sociolog vigjilent. Na duhen shkolla me arsim cilësor, por edhe shkolla më të sigurta.
Për një qasje gjithëpërfshirëse, kemi themeluar Forumin Nacional për Shkollat Miqësore me emërtimin “Rritemi Bashkë”. Një trupë e integruar shumëpalëshe e arsimit, sigurisë, shëndetësisë dhe mirëqenies: avokon, promovon e koordinon zbatimin e politikave të sigurisë dhe të zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve e të të rinjve. Ndër boshtet kyçe të punës së këtij Forumi është vetëdijesimi dhe intervenimi në shkolla, për sa i takon parandalimit të të gjitha formave të dhunës; dhe rritjes së kapaciteteve shkollore për identifikim, trajtim e raportim të rasteve të dhunës.
Një studim i profesorëve të nderuar të Universitetit të Prishtinës, në departamentin e Psikologjisë, si Aliriza Arenliu, Kaltrina Kelmendi, Zamira Hyseni Duraku e Jon Konjufca, tregojnë të dhëna të dobishme për politikbërjen, për çka i falënderoj për punën të cilën kanë bërë. Është punim i vlefshëm i publikuar në 2020, pra para tre vjetësh, për indikatorët shumëdimensionalë të ndërlidhur me dhunën në institucionet parauniversitare.
Po e citoj një pjesë nga studimi: “Nxënësit që raportojnë nivele të ulëta të komunikimit në familje dhe nivele më të ulëta të kënaqshmërisë me raportet familjare raportojnë nivele më të larta të viktimizimit dhe nivele më ta larta të përdorimit të dhunës ndaj bashkëmoshatarëve.” Pra, roli prindëror, roli i kujdestarëve, por jo vetëm, edhe motra e vëllai dhe anëtarët e tjerë të familjes, janë hallkë e rëndësishme për parandalimin e dhunës në shkolla. Andaj, duhet ta shtojmë komunikimin e sinqertë me fëmijët pavarësisht temës. E sidomos t’i dëgjojmë ata më shumë.
Në anën tjetër, ky studim thekson edhe rëndësinë e klimës shkollore, si dhe dukshmërinë e ndërlidhjes së saj me nivelin e dhunës dhe viktimizimit. Andaj, ndërveprimet sociale për zhvillimin emocional e social të fëmijëve duhet të forcohen. Me hapësira më të sigurta, me shërbime të duhura, e promovim të ruajtjes së shëndetit mendor.
Problemet janë të zakonshme. Por besoj që edhe zgjidhjet janë të realizueshme. Secili e secila përballemi me to, dikush më pak e dikush më shumë, dikush më shpesh e dikush më rrallë. Problemet më shëndetin mendor janë sfiduese. Por ato janë të trajtueshme, e edhe të menaxhueshme. Elasticiteti për përmirësimin e tyre, për dallim nga i rrituri, fëmiu në shtëpi dhe nxënësi në shkollë kërkon vëmendje të shtuar.
Duhet të punojmë edhe më shumë që çerdhet e shkollat tona të funksionojnë me një ‘qasje të tërësishme’ apo siç i thojnë anglisht “whole-school approach” në mënyrë që ato të jenë shtylla kryesore e promovimit të shëndetit mendor te fëmijët dhe të rinjtë tanë. Me një mjedis ku diskutohet hapur e pa frikë. Duke u siguruar që fëmijët kanë njohuri e informacion të mjaftueshëm, për të kuptuar dhe trajtuar gjendjen e tyre emocionale e sociale. Andaj, roli i këtyre institucione edukativo-arsimore është pazëvendësueshëm.
Të dashur studentë dhe të gjithë ju të pranishëm,
Uroj që konkludimet e kësaj konference të nxjerrin në pah sfidat dhe të ofrojnë rekomandime të vlefshme që mund të përdoren nga të gjithë hisedarët.
Por një gjë e rëndësishme të kuptohet është se të gjithë fëmijët janë unik në nevojat dhe zhvillimin e tyre, bëhet fjalë për personalitete, jo vetëm për individualitete. Për të qenë të suksesshëm, ata kanë nevojë për një shumëllojshmëri të mbështetjes. Vetëshprehja e kreativitetit të tyre ndonjëherë bëhet eksplorim i paprekshëm nga ne të therët që jemi rrotull atij fëmiut. Për shembull, jo rrallë na është bërë pyetja, pse ylberi i ka shtatë ngjyra? Ose, pse dielli ndriçon ditën? E para se të fillojmë të ju tregojmë se çfarë është kjo ose ajo, le të ndalemi pak më gjatë të shpjegimi i veçantisë së tyre. Se si ata shprehen, si i përballojnë ndjenjat e tyre, si provojnë ide e mënyra të reja, si e nxisim rritjen mendore të tyre. Loja e tyre në vizatim e pikturim, por edhe shëtitja në park ose në sallë sporti, fotografimi ose muzika që dëgjohet që nga fëmijëria e hershme, punimi me letër a me dru, këto janë projektimet e tyre të tanishme, për një të ardhme më të ndritshme.
Shanset besoj se janë të pafundme. Kohën tonë le të ua përkushtojmë atyre. Zgjidhjet le t’i gjejmë bashkë, jo pa njëri tjetrin, jo për njëri-tjetrin por bashkë . Kujdesin le ta shtojmë e punën le ta rrisim. Sepse fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e këtij brezi, por dhe e atyre që do të vijnë pas nesh dhe pas atyre vet. Ju falemnderit. /FolDrejt/