Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në një panel diskutimi në kuadër të Shkollës Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat, në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”.
Me temën kyçe “Barazia gjinore”, kryeministri Kurti theksoi para të pranishmëve se si institucione të shtetit kemi përgjegjësi për të nxitur ndjenjën e solidaritetit midis qytetarëve. Ai potencoi se kjo kërkon përfshirje aktive të gjithë anëtarëve të shoqërisë, përcjell Fol Drejt.
“Kur flasim për emancipim, nuk bëhet fjalë veç për çlirimin e grave, por edhe për edukimin e burrave. Le t’i edukojmë burrat, që ata të jenë aleat për luftën për barazi gjinore. Gratë nuk është e thënë ta bëjnë këtë betejë vetëm. Duhet ta bëjnë bashkë me burrat, prandaj nevojitet emancipim, edukim i burrave për rëndësinë e barazisë gjinore”, u shpreh kryeministri.
Për mundësi dhe të drejta të barabarta, vazhdoi kryeministri, si qeveri kemi theksuar rëndësinë e bursave në kuadër të programit STEM-Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, për të eliminuar një hendek social në tregun e punës. Gjithashtu shtoi se për vetëm 21 muaj nga 37 mijë e 350 vende pune, 50.3 për qind janë gra të punësuara, derisa më shumë se sa gjysma e atyre që kanë përfituar nga “Superpuna” po ashtu janë gra.
Programi “Qeveria për familjen” ka mundësuar që 603 gra të jenë përfituese, ndërkaq janë mbështetur mbi 34 mijë gra lehona, me ç’rast 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë. Kryeministri Kurti përsëriti se ne nuk i shohim gratë vetëm si nëna ose si lehona, mirëpo gratë duhet te kenë sa më shumë kohë për vetën e tyre, dhe mbështetja financiare për to dhe për fëmijët, kontribuon ndjeshëm për të gjithë. Teksa shtoi se deri më tani kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon tre milionë euro. E në bujqësi për vitin 2021 i kemi ndarë subvencionet për 1325 gra përfituese.
Ai tha se synimi ynë është t’i çmontojmë strukturat që ndihmojnë në përdorimin e pabarazisë, përderisa duhet të përpiqemi për pjesëmarrje aktive, ku gratë jo vetëm të kenë një vend në tryezë, por edhe një zë në vendimmarrje.
“Andaj, le të mos mjaftohemi me kaq, le të imagjinojmë një botë ku barazia, drejtësia nuk janë aspirate, por realitete të jetuara. Veprimet tona le të udhëhiqen nga parimet e barazisë ekonomike e të solidaritetit shoqëror, lirive dhe të drejtave, përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive”, përfundoi ai.
Shkolla Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat është një program pesë-ditor që bashkon student dhe liderë të rinj të interesuar për të eksploruar ndërlidhjen mes gjinisë dhe ekonomisë. NDI do të organizojë Shkollën Verore në muajin shtator për një grup të përzgjedhur të rinjsh. Programi do të rekrutojë 25-30 të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç. Nëpërmjet leksioneve, seminareve dhe diskutimeve, pjesëmarrësit do të familjarizohen me konceptet dhe teoritë kryesore të ekonomisë feministe dhe do të fitojnë një kuptim më të thellë se si gjinia ndikon në sistemet dhe rezultatet ekonomike.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Edi Gusia, Zëvendëskryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore,
E nderuara znj. Nancy Soderberg, Drejtore e Institutit Demokratik Kombëtar në Kosovë,
I nderuari rektor Armand Krasniqi në Universitetin “Haxhi Zeka” këtu në Pejë,
E nderuara znj. Diana Gashi, profesore në Fakultetin Ekonomik,
I nderuari profesor Ermond Beqiri,
Të nderuar pjesëmarrës të Shkollës Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat,
E nderuara znj. Alma Shehu, Prorektore në Universitetin e Pejës, gjithashtu sikurse edhe profesori Ermond Beqiri,
Unë jam shumë i gëzuar edhe i nderuar që ndodhëm këtu në mesin tuaj për të diskutuar për një temë e cila është edhe themeltare edhe vendimtare për një shoqëri prosperuese e cila krijon zhvillim të qëndrueshëm, por njëkohësisht edhe mirëqenie që nuk e lë askënd prapa.
Në rrugëtimin tonë drejt një vendi më të drejtë dhe progesiv, së pari duhet ta pranojmë se solidariteti dhe bashkëpunimi janë gurët themeltarë të përparimit.
Si institucione të shtetit, shoqëri civile, kemi përgjegjësi për të nxitur ndjenjën e solidaritetit midis qytetarëve e veçanërisht kur bëhet fjalë për barazinë gjinore.
E solidariteti për bindjen time është solidaritet në vepër. Vepra është dëshmia e solidaritetit. E në këtë aspekt dy elemente tejet të rëndësishme në bërjen aksion të ndjenjës së solidaritetit janë simpatia dhe empatia. Pra duhet të kemi edhe simpati për tjetrin, por edhe empati. Jo vetëm keqardhje për një gjendje të rëndë të dikujt por edhe imagjinim të vetës sonë në pozitën e tjetrit, sepse keqardhja si e tillë mund të nënkuptojë një lloj distance. Tjetri është në një gjendje të vështirë, më vjen keq, mirëpo ajo ose ai janë atje dhe unë jam këtu.
Ndërkaq empatia është një hap më tej se simpatia, se keqardhja, sepse subjektin, njeriun e cyt që ta paramendojë vetën në pozitën e tjetrit. E unë besoj që te solidariteti në thelb janë simpatia dhe empatia, por janë ndjenjat, që bëhen aksion. E unë besoj që kjo është tejet e rëndësishme për solidaritetin gjinor drejt barazisë gjinore.
Gratë duhet të mbështesin gratë dhe bashkë duhet të investojnë në programe dhe kurse, që e promovojnë solidaritetin gjinor.
Emancipimi nuk është rrugë me një kahje, por kërkon përfshirje aktive të gjithë anëtarëve të shoqërisë. Kur flasim për emancipim, nuk bëhet fjalë veç për çlirimin e grave, por edhe për edukimin e burrave. Le t’i edukojmë burrat, që ata të jenë aleat për luftën për barazi gjinore. Gratë nuk është e thënë ta bëjnë këtë betejë vetëm. Duhet ta bëjnë bashkë me burrat, prandaj nevojitet emancipim, edukim i burrave për rëndësinë e barazisë gjinore.
Lufta për çlirimin e grave është e shumanshme dhe kërkon një qasje me bazë të gjerë dhe analizë, që merr parasysh mënyrat, në të cilat shtypja me bazë gjinore kryqëzohet me forma të tjera të shtypjes, duke përfshirë racën, klasën dhe prejardhjen gjeografike.
Megjithatë, përfshirja vetëm si e tillë nuk mjafton. Ne duhet të përpiqemi për pjesëmarrje aktive, ku gratë jo vetëm të kenë një vend në tryezë, por edhe një zë në vendimmarrje.
Për më tepër, ne duhet të jemi vigjilentë për kufirin e hollë midis diskriminimit dhe përjashtimit. Le të mos e zëvendësojmë një formë të shtypjes me një tjetër. Në vend të kësaj, le të ndërtojmë një shoqëri, ku përjashtimi zëvendësohet nga përfshirja dhe diskriminimi zëvendësohet nga barazia. Sepse, njerëzit që janë të diskriminuar paradoksalisht, por iu duken të privilegjuar atyre që janë tërësisht të përjashtuar. Prandaj, këta që janë të përjashtuar, konsiderojnë që së paku ju që po diskriminoheni, jeni të përfshirë. Por, ne nuk duhet të pajtohemi as me përjashtimin as me diskriminimin.
Pra, përjashtimin ta luftojmë me përfshirje e diskriminimin me barazi. Sepse, pushteti patriarkal, që shtyp, është i interesuar në pabarazitë e brendshme përmes së cilave e zgjat sundimin, duke i kundërvënë grupet nga njëra-tjetra. Për shembull, duke kundërvënë gratë e klasës së mesme me gratë e varfëra, duke kundërvënë gratë e fshatit me gratë e qytetit. Kjo është mënyra qysh pamundësohet bashkimi drejt realizimit të barazisë. Andaj, duhet edhe përfshirje edhe barazi.
Shumë autore feministe po theksojnë se është koha për një paradigmë të re, që përveç të drejtave edhe lirive, inkuadron edhe kërkesat ekonomike me drejtësinë sociale dhe i sfidon hierarkitë ekzistuese.
Synimi është t’i çmontojmë strukturat, që ndihmojnë në përdorimin e pabarazisë. Nuk kërkojmë të zëvendësojmë pra një mënyrë shtypjeje e shfrytëzimi me një tjetër, por të krijojmë një shoqëri, që ka për bazë barazinë.
Në këtë rrugëtim duhet të njohim ndërlidhjen e betejave, sepse ekziston një sistem, i cili lulëzon nga pabarazia dhe shfrytëzimi, e që është një sistem thellësisht jo demokratik.
Si qeveri angazhohemi me punën tonë që në shoqërinë tonë të gjithë t’i kemi jo vetëm të drejtat e barabarta, por edhe mundësitë e barabarta. Pasi që edukimi është fusha e cila mundëson fuqizimin e grave, si qeveri e kemi theksuar rëndësinë e bursave në kuadër të programit STEM-Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, për të eliminuar një hendek social në tregun e punës.
Në anën tjetër nga 37 mijë e 350 vende pune të reja për vetëm 21 muaj, 50.3 për qind janë gra të punësuara e madje edhe nga programi Superpuna më shumë se sa gjysma e atyre që kanë përfituar janë gra.
Programi “Qeveria për familjen” ka mundësuar që 603 gra të jenë përfituese, meqenëse ky program ka nënkuptuar të mos kemi asnjë familje pa dikë të punësuar. E di që mund të ju duket nganjëherë edhe mbase e pasaktë, mirëpo në Kosovë ka shumë familje që s’kanë askënd të punësuar, të cilët jetojnë ose nga ndihmat sociale ose nga remitancat nga diaspora. E ne i kemi vënë theks të veçantë që të mos lemë asnjë familje pa dikë të punësuar, e në mesin e tyre janë 603 gra që kanë përfituar nga ky program, pra “Qeveria për familjen”.
Janë mbështetur mbi 34 mijë gra lehona, gjithsej mbi 350 mijë fëmijë, pra nën moshën 16-vjeçare dhe 90 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë. Ne nuk i shohim gratë vetëm si nëna, ose si lehona, mirëpo gratë duhet te kenë sa më shumë kohë për vetën e tyre dhe mbështetja financiare për to dhe për fëmijët, kontribuon ndjeshëm për të gjithë. Ne e dimë që janë të dy prindërit, është edhe babai përveç nënës, mirëpo çdo studim empirik dhe përvoja jonë praktike tregon që kur i jep para familjeve, më mirë me ia dhënë gruas sesa burrit. Ne kemi mbështetur biznese që janë në pronësi të grave me vlerë të subvencionimit afër gjysmë milion euro, kurse vlera e kreditimit të mundësuar tejkalon tre milionë euro. E në bujqësi për vitin 2021 i kemi ndarë subvencionet për 1325 gra përfituese. Këto arritje tregojnë përkushtimin tonë ndaj promovimit të barazisë dhe fuqizimit të grave.
Andaj, si përfundim le të mos mjaftohemi me kaq, le të imagjinojmë një botë ku barazia, drejtësia nuk janë aspirate, por realitete të jetuara. Veprimet tona le të udhëhiqen nga parimet e barazisë ekonomike e të solidaritetit shoqëror, lirive dhe të drejtave, përfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive.
Unë ju përgëzoj për këtë shkollë verore, për këtë organizim që bëni dhe ju falënderoj për vëmendjen./FolDrejt/