Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ka pritur ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shkruan Fol Drejt.
“Krahas diskutimeve për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti dhe ambasadori Westerlund folën edhe për takimin që kryeministri Kurti dhe ai i Suedisë, Ulf Kristersson zhvilluan në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Takim të cilin kryeministri Kurti e vlerësoi si shumë pozitiv.”, shkruan në njoftimin zyrtar. Tutje, ata kanë biseduar për marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve, për nevojën dhe potencialin e rritjes së shkëmbimeve tregtare, dhe për mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj në fushën e minierave. “Ambasadori Westerlund e njoftoi kryeministrin Kurti për interesimin e kompanive suedeze për të investuar në Kosovë dhe diskutuan rreth iniciativës për hapjen e Odes Ekonomike Nordike në Kosovë që do të kontribuonte në thellimin dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik.”, thuhet në fund të raportit. /FolDrejt/