Kryeministri Kurti në vazhdën e ngjeshur të takimeve të sotme është edhe me drejtues dhe deputetë të grupit Europarlamentar ‘’Renew Europe’’, shkruan Fol Drejt.
“Pas takimit të 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Kryeministri Kurti u prit nga kryesuesi i grupit parlamentar ‘’Renew Europe’’, eurodeputeti Stephane Sejourne, i shoqëruar nga kolegët e tij Ilhan Kyuchyuk, Dragos Tudorache dhe Klemen Groselj.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit. Kurti ka falënderuar eurodeputetët dhe grupin e tyre parlamentar për pozicionimin dhe qëndrimin e tyre pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, proces i cili pritet që së shpejti të finalizohet suksesshëm. Palët kanë diskutuar edhe mbi rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian të Republikës së Kosovës dhe aplikimeve për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës.
“Më tej, Kryeministrit Kurti i njoftoi reformat e deritanishme dhe rezultatet e arritura përgjatë dy viteve të fundit.
Vendi ynë vazhdon të shënojë përmirësim në indikatorë ekonomikë e demokratikë, të cilët janë përkthyer në renditjen e Kosovës në mesin e vendeve me përparimin më të lartë të demokracisë në rajon e më gjerë. Sundimi dhe zbatimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit po kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, si bazament i drejtësisë, demokracisë e zhvillimit.”, thuhet tutje në raport.Takimi u përmbyll duke biseduar mbi procesin e dialogut, propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për takimin e 18 marsit. /FolDrejt/