Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti ka pritur në takim presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Në takimin e tyre mediat janë lejuar vetëm të shkrepin fotografi.
Disa minuta më parë Radev është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media ku diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera.
Osmani tha se ka tendenca që masat ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës që vazhdojnë të jenë në fuqi të keqpërdoren për kushtëzim të themelimit të Asociacionit.
Ajo tha se nëse ndodh diçka e tillë do të ketë vetëm efekt negativ, derisa tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat e vendosura nga BE-ja për heqjen e këtyre masave që u vendosën si ndëshkim për tensionet në veri.
“Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja pse ato janë vendosur në fillim. E kam kundërshtuar një qasje të tillë edhe në Samitin BE-Ballkan Perëndimor, sepse në fakt kjo logjikë sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë vetëm efekt negativ. Ajo që kanë kërkuar nga Kosova, pra që e quanin deeskalim, tashmë ka ndodhur. Nëse dikush mendon që të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat do të duhet hiqen sepse Kosova i ka plotësuar kushtet e kërkuara”.