Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas telefonatës me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, mbrëmë takoi ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, transmeton Fol Drejt.
Së bashku diskutuan për zhvillimet aktuale, me theks situatën e fundit në veri të vendit, rëndësinë për deeskalim të plotë dhe rrugën përpara. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti, theksoi se sundimi i ligjit duhet të jetë parimi bazë për të ecur përpara.
Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale, ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.
Kryeministri falënderoi ambasadorin Abbott për angazhimin dhe bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm në thellim dhe fuqizim të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar./FolDrejt/