Gjatë paradites, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.
Me urimet e dyanshme për Vitin e Ri 2024, takimin e parë për këtë vit, kryeministri Kurti dhe ambasadori Angılı e filluan duke reflektuar mbi bashkëpunimin përgjatë vitit 2023, sidomos në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe ekonomisë, dhe e vazhduan me planet dhe synimet e partneritetit ndërmjet dy shteteve për vitin në të cilin sapo kemi hyrë.
Ambasadori Angılı e uroi kryeministrin dhe popullin e Kosovës për liberalizimin e vizave që hyri në fuqi me 1 janar.
Kryeministri Kurti e falënderoi për urimin dhe shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës, dhe gatishmërinë e vullnetin për thellim dhe zgjerim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe Kosovë-Turqi.