Takimet në Mynih, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Drejtorin Ekzekutiv të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol.
U bisedua për sektorin e energjisë në Kosovë dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e energjisë së ripërtrishme. Kryeministri Kurti theksoi planet e Qeverisë për investime në energji të ripërtrishme dhe për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031.
Duke folur për zhvillimet në vend, Kryeministri e njoftoi z.Birol për punën e Qeverisë dhe progresin e shënuar në indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, gjë që po dëshmohet nga raportet kredibile ndërkombëtare. Ai theksoi mundësitë që ofron Kosova për investitorët e huaj, si dhe për masat e ndërmarra në rritjen e efiçencës energjetike dhe ruajtjen e çmimit të përballueshëm për qytetarë, përcjell Fol Drejt.
Në takim u diskutua edhe për mundësitë dhe format e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë./FolDrejt/