Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar emisarët e Gjermanisë dhe Austrisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Johannes Eigner, shkruan Fol Drejt.
Zyra e Kyryeministrit njoftoi se Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ushtruesja e detyrës së Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila ishte i ftuar mbrëmë nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde në rezidencë, në një darkë pune se bashku me Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe Përfaqësuesin Special të Austrisë për Ballkan Perëndimor, Johannes Eigner. Sipas raportit zyrtar, gjatë darkës, është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, dhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Temë diskutimi ishin po ashtu raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zbatimi i Marrëveshjes Bazë të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj të dakorduar në Ohër si dhe rruga përpara, në prag të takimit të radhës në nivel kryenegociatorësh që do të zhvillohet sot në Bruksel. /FolDrejt/