Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Washington, D.C. ka takuar kongresistin Brad Schneider.
Në takim është biseduar për të arriturat gjatë qeverisjes njëvjeçare, stabilitetin institucional dhe angazhimin për të krijuar klimë të sigurt për investime në Kosovë, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është vend i përshtatshëm për investime meqenëse ka qeverisje demokratike, është e para sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, sa i përket korrupsionit ka lëvizur lart për të mirë në 17 vende sipas Transparency International, ndërkaq sipas Reporterëve pa Kufij po ashtu 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave.
Prandaj, edhe qëllimi i vizitës në ShBA është që të ftojë ndërmarrjet dhe investitorët për sa më shumë investime në Kosovë dhe sa më shumë siguri për Kosovën, ka shtuar ai.
Kryeministri Kurti ka thënë se invazioni dhe agresioni në Ukrainë, si dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj, siç është Serbia, kërkojnë vëmendje më të shtuar për sigurinë në Kosovë dhe në rajon.
Duke shprehur mirënjohje për kontributin që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan, ndërsa integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian është alternativa e vetme./FolDrejt/