Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi Kryesuesin dhe shefin për Evropën Qendrore dhe Lindore të LIDL, si dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë gjermane LIDL, transmeton Fol Drejt.
Përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të bashkëpunuar për zhvillim ekonomik dhe për të përkrahur nisma të reja, që sjellin deri te rritja e investimeve, u potencua nga kryeministri Kurti.
Si faktorë të klimës së mirë për investime, ai theksoi potencialet investuese dhe arritjet ekonomike në Kosovë. Veçoi indikatorët pozitivë ekonomikë, si rritjen ekonomike impresive dyshifrore prej 10.53%, rritjen e eksporteve prej 83.6%, rritjen e investimeve të huaja direkte prej 21%, ngritje në pagesa tatimesh prej 30%, pa ndryshuar politikat fiskale, rritje të hyrave të Doganës prej 31%, si dhe punën drejt themelimit të Gjykatës Komerciale në Kosovë.
Në takim ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, Drejtori i Doganave të Kosovës, z.Agron Llugaliu, Drejtori i Administratës Tatimore, Ilir Murtezaj, u.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj, Këshilltarja e Kryeministrit, z.Fëllanza Podrimja, si dhe z.Besnik Miftaraj, Konsull/Këshilltar i Republikës së Kosovës në Shtutgart, krahas përfaqësuesve të tjerë të kompanisë LIDL, Drejtorit gjeneral të LIDL në Rumani, z.Marco Giudici, Drejtorit për zgjerim të LIDL, z.Tomasz Kuzma dhe përfaqësuesve të bordit të LIDL.
Kompania “LIDL” GmbH & Co KG është zingjiri më i madh i dyqaneve ushqimore në botë. Është themeluar në vitin 1973 dhe aktualisht ka shtrirje në 31 shtete të botës./FolDrejt/