Pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi duke u takuar me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Odile Basso.
Diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Qeverisë dhe BERZh-it, projektet që janë në zbatim e sipër me mbështetje të BERZh-it, si dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, përcjell Fol Drejt.
Kryeministri Kurti falënderoi presidenten e BERZh-it, znj.Basso për mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ai shtoi se te BERZh-i, Qeveria e Republikës së Kosovës sheh një partner të rëndësishëm në realizimin e qëllimeve të saj në zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në fushën e transportit, digjitalizimit, energjisë dhe sektorit privat.
Duke theksuar zhvillimin ekonomik dhe demokracinë cilësore në vend, Kryeministri Kurti veçoi trendin pozitiv të rritjes ekonomike në dy vitet e fundit dhe përmirësimin për 20 pozita në Indeksin e Korrupsionit të Transparency International, për 17 pozita në indeksin e Reporterëve Pa Kufi për lirinë e shtypit dhe renditjen në vendin e parë për herë të dytë radhazi në Ballkanin Perëndimor për sa i përket sundimit të ligjit sipas Projektit të Drejtësisë Botërore. Kryeministri Kurti e njoftoi presidenten Basso edhe për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në maj të vitit të kaluar, si dhe në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2022.
Presidentja Basso e uroi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për suksesin në luftën kundër korrupsionit. Ajo shprehu përkushtimin e BERZh-it për të bërë edhe më shumë në mbështetje të Kosovës, me theks në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe të efiçiencës së energjisë dhe sektorin privat./FolDrejt/