Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti në zyrën e tij, dy senatorët amerikanë, Jeanne Shaheen nga New Hampshire dhe Peter Welch nga Vermont.
Fillimisht, kryeministri Kurti falënderoi dy senatorët për vizitën e tyre, të cilët po shoqëroheshin nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dhe për solidaritetin e treguar me vendin dhe popullin tonë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, si dhe për mbështetjen e gjatë dhe të vazhdueshme ndaj Kosovës.
Ai nënvizoi dëshmitë e mbledhura deri më tani të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme përfshirjen e shtetit të Serbisë në sulmit paramilitar të së dielës së 24 shtatorit, në mëngjesin e hershëm të së cilës ra në krye të detyrës, rreshteri i Policisë së Kosovës dhe heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku si dhe provat që dëshmojnë së sulmi ishte pjesë e një plani më të madh që synim kishte aneksimin e veriut të Kosovës.
Në deklarimin për media pas takimit, në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë, dhe kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë dhe qëllimin e saj të ekspozuar për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës. Që dialogu të ketë gjasa për ndonjë sukses, krahas sanksioneve ndaj Serbisë, shtoi kryeministri, është jashtëzakonisht e rëndësishme që qasja të jetë e balancuar, të respektohet dhe zbatohet Marrëveshja Bazike dhe aneksi i saj, dhe që Serbia të zbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetit të saj territorial.
Senatorët falënderuan kryeministrin Kurti për bisedën konstruktive. Siç tha edhe në deklarimin për media pas takimit senatorja Shaheen, ata kishin plane që të vizitonin rajonin dhe kur dëgjuan për sulmin në Bansjkë të Zveçanit deshën që të vinin edhe në Kosovë për të shprehur ngushëllimet e tyre familjes së policit të vrarë. Ajo tha se është shumë e rëndësishme që ata të cilët ishin përgjegjës për sulmin të japin llogari para ligjit dhe se Serbia duhet të bashkëpunojnë në hetimet që po zhvillohen.
Senatorja Shaheen e vlerësoi si pozitive rritjen e numrin të trupave të KFOR-it dhe si të rëndësishëm në mbrojtën e kufijve të Kosovës. Ndër të tjerash, ajo tha se modeli dhe mbështetja e Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit është shumë i rëndësishëm për të gjitha vendet në rajon dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ndajnë po ato vlera.