Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deri tani janë zhvilluar mbi 30 takime me përfaqësuesit e sindikatave.
Gjatë fjalës së tij në seancën e parë plenare për sesionin vjeshtor, kreu i qeverisë tha se dialogu nuk ka munguar, dhe problemi nuk është tek mungesa e komunikimit, arrogancës apo inateve, por siç tha ai, ka një mospajtim themelor, njofton Klankosova.tv.
“Me përfaqësuesit e sindikatave kemi pasur takim dhe komunikim të vazhdueshëm, janë zhvilluar mbi 30 takime. Dialogu nuk ka munguar, as bashkëbisedimi. Me krerët e SBAShK-ut takohet ministrja e Arsimit, me krerët e BSPK-së, jam takuar unë dhe të gjitha degët sindikale kanë takuar ministrat përkatës. Takimin e fundit që e pata s’ishte me ndonjë degë të sindikatës apo me BSPK-në, por me këshillin grevist. Unë i kam ftuar unë dhe kanë ardhur. Pra nuk është problemi të mungesa e komunikimit dhe të kurrfarë arrogance ose inati, por kemi një mospajtim themelor sepse unë jam i bindur që në këtë krizë duhet të dalim përmes pakos që mundëson përballjen me inflacionin e jo përmes kërkesave partikulare deri të votohet projektligji për Pagat. S’mund të thuhet që ne i mirëmbajmë në mënyrë demokratike të ligjshme dhe të shëndetshme financat shtetërore nëse një grupi të caktuar ia plotësojmë kërkesën që t’i japim një shtesë të caktuar deri të bëhet projektligjit për paga”.
“Përballje me inflacion po, mirëpo kërcënim apo shantazh – i dua kaq para për çdo muaj deri të kalojë projektligji kështu nuk bën, ky lloj dizajnimi i kërkesës është i papranueshëm. Ai 50 euroshi është më i madh sesa përqindja e rritjes ekonomike kur përkthehet në pagën e mësimdhënësit. Ne i kemi marr për bazë të gjitha kërkesat jo vetëm të një sindikate dhe jemi përpjekur t’i akomodojmë në projektligjin që është në diskutim publik”, tha kryeministri, njofton Klankosova.tv.
Kurti tutje tha se me projektligjin për Pagat janë përkujdesur që të bëjnë trajtim të barabartë për mësimdhënësit.
“Kemi paraparë shtesa për mësimdhënësit në bazë të kualifikimit dhe në të njëjtën kohë kërkesat e sindikatës janë adresuar. Kemi trajtuar edhe çështjen e mësimdhënësve me 180 kredi, do të vazhdojmë mbështetjen për ngritjen profesionale të mësimdhënësve”.