Në konferencën më të madhe në rajon në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi rolin e KOSICT në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit: ndërmjet sektorit publik, sektorit privat dhe akademisë, nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, transformimi digjital shtrihet gjithandej, duke takuar digjitalizimin dhe industrinë, sektorin privat dhe publik, por edhe kujdesin shëndetësor, arsimin dhe veçanërisht administratën publike, tha kryeministri, transmeton Fol Drejt.
Kryeministri theksoi se me shumë kompani shumë kompetente të TIK-ut dhe një komunitet vibrant të profesionistëve të TIK-ut, TIK-u është një nga sektorët e paktë në të cilin vendi ynë ka një bilanc tregtar pozitiv.
Nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Smart Specialization Strategy e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion, tha kryeministri Kurti.
Ai foli për angazhimin e Qeverisë, në bashkëpunim me qeverinë gjermane, për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit kombëtar të inovacionit. Po ashtu, veçoi mbështetjen për përfundimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, i cili do të ofrojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.
Zbatimi i transformimit digjital, garantimi i sigurisë kibernetike, zhvillimi i profesionistëve të aftë dhe ndërtimi i ekosistemit të inovacionit – secili prej këtyre objektivave kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik dhe privat, tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, është e hapur, e gatshme dhe e interesuar për të bashkëpunuar me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë./FolDrejt/
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Të nderuar organizatorë të KOSICT,
Të nderuar zonja Çavolli dhe zotëri Canhasi,
Të nderuar Ambasadorë,
Të nderuar mysafirë dhe anëtarë të komunitetit të TIK,
Është një kënaqësi e madhe të jem këtu me rastin e edicionit të 11-të të KOSICT – festivali më i madh i teknologjisë në rajon. Kjo është hera e dytë që marr pjesë në KOSICT – një festival që bashkon komunitetin lokal të TIK-ut, ekspertët vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë dhe liderët e industrisë, dhe ofron një forum për shkëmbimin e njohurive, përvojës dhe ideve mbi transformimin digjital, ekonominë digjitale dhe risitë teknologjike. …Dhe më e rëndësishmja, një festival që ndihmon në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit: ndërmjet sektorit publik, sektorit privat dhe akademisë, nga Kosova, rajoni dhe më gjerë.
Tani kemi punuar në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit dhe transformimi digjital shtrihet gjithandej, duke takuar digjitalizimin dhe industrinë, sektorin privat dhe publik, por edhe kujdesin shëndetësor, arsimin dhe veçanërisht administratën publike.
Ne duam t’i bëjmë shërbimet tona në cilësi më të mirë, zyrtarët publikë më transparentë, por në të njëjtën kohë, të rrisim llogaridhënien në të gjithë sektorët e qeverisjes, si në atë publik ashtu edhe në atë privat.
Çdo fushë e qeverisë dhe çdo sektor i ekonomisë është i rëndësishëm, dhe po kështu është digjitalizimi në secilën prej atyre fushave dhe sektorëve. Por, në veçanti, me shumë kënaqësi u njoftojmë se javën e kaluar, Qeveria jonë miratoi “Strategjinë e Arsimit 2022-2026” – e cila ofron një udhërrëfyes gjithëpërfshirës për reformimin e sistemit arsimor në të gjitha nivelet.
Dua të theksoj se buxheti i planifikuar i reformës së paraqitur nga strategjia e arsimit është rreth 333 milionë euro, 82% më i lartë se buxheti i mëparshëm i “Planit Strategjik të Arsimit 2017-2021”, i cili ka pasur një buxhet, rreth 174 milionë euro. Pra tani do të jetë 333 milionë euro.
Gjithashtu, për herë të parë, digjitalizimi trajtohet si një nga pesë shtyllat dhe objektivat strategjikë të strategjisë së arsimit, me një buxhet të dedikuar prej rreth 52 milionë euro.
Digjitalizimi i administratës publike është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së shërbimit për qytetarët dhe biznesin tonë, si dhe është i rëndësishëm për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së administratës sonë, nga e cila varet qeverisja jonë, por edhe suksesi i biznesit tonë.
Muajin e kaluar, qeveria jonë miratoi një program të ri për parandalimin dhe uljen e barrës administrative. Ky program, së bashku me Strategjinë e Reformës së Administratës Publike – e cila tashmë është finalizuar, dhe Strategjinë e Qeverisjes Elektronike – që është në përgatitje e sipër – do të sigurojë një kuadër strategjik për digjitalizimin në qeveri.
Një prioritet i menjëhershëm është digjitalizimi i disa prej shërbimeve kyçe dhe më të përdorura për qytetarët dhe bizneset.
Pas nisjes së pagesave elektronike për shërbimet shtetërore, certifikatave të digjitalizuara të gjendjes civile dhe digjitalizimit të disa hapave për ripërtëritjen e regjistrimit të automjeteve, së shpejti do të nxjerrim edhe certifikatat e pronës të digjitalizuara.
Identifikimi elektronik është një nga blloqet kryesore të ndërtimit të qeverisjes elektronike dhe ne kemi miratuar tashmë legjislacionin e nevojshëm për zbatimin e tij. Procesi i prokurimit të BE-së për projektin – i cili do të zbatojë e-ID në nivel kombëtar – tashmë është duke u zhvilluar. Duke mundësuar identifikim të sigurt dhe të besueshëm të qytetarëve dhe bizneseve, si dhe duke zbatuar nënshkrimet elektronike, projekti e-ID do të hapë rrugën për digjitalizimin end-to-end të shumë shërbimeve në sektorin publik dhe privat.
Ecja përpara me digjitalizimin në të gjitha fushat e qeverisjes kërkon gjithashtu një fokus më të madh në forcimin e sigurisë kibernetike.
Muajin e kaluar qeveria miratoi ligjin për sigurinë kibernetike, i cili krijon bazën ligjore për krijimin e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike.
Ndërkohë, po punohet edhe për ndryshimin e kodit penal, duke përfshirë në këtë kod të gjitha veprat penale përkatëse që lidhen me krimin kibernetik.
Së fundmi, ne kemi krijuar një grup punues me shumë palë të interesuara për sigurinë kibernetike në infrastrukturën kritike.
Muajin e kaluar lansuam edhe Sistemin e Monitorimit të Spektrit të Frekuencës i cili ka ndikim në sigurinë e komunikimeve elektronike.
Të nderuar pjesëmarrës,
Me shumë kompani shumë kompetente të TIK-ut dhe një komunitet vibrant të profesionistëve të TIK-ut, TIK-u është një nga sektorët e paktë në të cilin vendi ynë ka një bilanc tregtar pozitiv. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Smart Specialization Strategy e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion.
Megjithatë, kërkesa për profesionistë të kualifikuar të TIK-ut është shumë më e lartë se oferta e disponueshme dhe rritja e sektorit të TIK kërkon gjithashtu një ekosistem inovativ që do të sigurojë infrastrukturën dhe lidhjet e nevojshme midis kërkimit, inovacionit dhe sipërmarrjes.
Qeveria jonë, në bashkëpunim me qeverinë gjermane, po vazhdon të investojë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit kombëtar të inovacionit. Ne kemi vazhduar edhe mbështetjen tonë për përfundimin e Parkut të Teknologjisë Digjitale në Bërnicë, i cili do të ofrojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.
Në dhjetor të vitit të kaluar u bëmë anëtar në Horizon Europe dhe muajin e kaluar miratuam fillimin e procesit për t’iu bashkuar një programi tjetër të rëndësishëm të BE-së – Evropa Digjitale. Anëtarësimi në Digital Europe do të ofrojë mundësi shtesë për institucionet tona qeveritare dhe për kompanitë vendore që të aplikojnë për projekte të TIK-ut, të financuara nga ky program.
Zbatimi i transformimit digjital, garantimi i sigurisë kibernetike, zhvillimi i profesionistëve të aftë dhe ndërtimi i ekosistemit të inovacionit – secili prej këtyre objektivave kërkon një angazhim të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit publik dhe privat. Ne jemi të hapur, të gatshëm dhe të interesuar për të bashkëpunuar me sektorin privat dhe akademinë në arritjen e objektivave të përbashkëta që synojnë zhvillimin e vendit tonë.
Ndoshta mund të themi se në shekullin e 20-të, Esperanto ka dështuar, por unë besoj se në shekullin e 21-të, kodimi dhe anglishtja është esperantoja e suksesshme. Pra, ne mezi presim të reformojmë arsimin tonë dhe së bashku të bëjmë transformimin digjital, i cili jo vetëm që krijon mundësi për biznese të suksesshme, por gjithashtu krijon mundësi për mundësi për biznes të suksesshëm.
Faleminderit shumë dhe ju uroj suksese!