Takimin e radhës në Tallinn të Estonisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e zhvilloi me Kryeshefin Ekzekutiv të Partneritetit për Qeveri të Hapur (OGP), Sanjay Pradhan.
Bashkë folën për anëtarësimin në muajin gusht të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare pas shumë viteve përpjekjesh, përfitimet, përgjegjësitë dhe rolin e Kosovës si anëtare e re, përcjell Fol Drejt.
Kryeministri Kurti e informoi z. Pradhan me punën e Komitetit Kombëtar Koordinues për sa i përket hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit 2023-25, i cili bazohet në katër shtylla kryesore: Qeverisja Digjitale; Të Dhënat e Hapura (Open Data); Përfshirja e Qytetarëve; dhe Anti-Korrupsioni.
Duke qenë ky viti i parë i anëtarësimit të Kosovës në OGP, kryeministri po ashtu nënvizoi rëndësinë dhe nevojën për mbështetje nga kjo organizatë në fillimin e zbatimit të Planit Kombëtar, teksa shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm.
Përkrah kryeministrit Kurti në këtë takim ishin edhe ambasadorja e Kosovës për Estoni, Shkëndije Geci Sherifi dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi./FolDrejt/