Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në një takim delegacionin e formacionit politik shqiptar nga Maqedonisë së Veriut, Aleanca për Shqiptarët, shkruan Fol Drejt.
Kryetari i Aleancës, Arben Taravari tha se ishte nder për të që u prit nga Kryeministri i Kosovës.
Taravari premtoi që, si kryetar i Aleancës për Shqiptarët, do të angazhohet për vazhdimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes tyre.
Ai shtoi se bashkë me Kurtin kanë diskutuar përpjekjet destabilizuese të Serbisë në veriun e Kosovës të cilat ai i ka ndjekur me shqetësim dhe i ka dënuar zëshëm në vazhdimësi.
“Urova Kryeministrin Kurti për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shpreha besimin se BE do të jetë në nivel të sfidës së jashtëzakonshme që i kanoset paqes, sigurisë dhe vlerave tona të përbashkëta. Si subjekt politik, do të mbështesim çdo përpjekje të Kosovës për të forcuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar”, shkroi Taravari në Facebook.
Përveç kësaj, ai ka përgëzuar Kryeministrin Kurti për nismat e tij për reforma në drejtësi, përfshirë vetingun, duke uruar që këto nisma të rrumbullakësohen, duke theksuar se bashkëpunimi me Qeverinë e Kosovës për të mësuar nga përvoja e deritanishme në hartimin e kornizës ligjore për nisma të tilla, do të ishte i dobishëm edhe për Maqedonisë së Veriut.
“Me kryeministrin Kurti biseduam edhe për projektet e përbashkëta mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë inicuar nga Prishtina dhe janë nënshkruar mes dy palëve, e që vlerësohen si të rëndësishme për qytetarët dhe ekonomimë e dy vendeve tona, por fatkeqësisht hasin në pengesa nga institucionet dhe Qeveria e Shkupit”, përfundoi Taravari. /FolDrejt/