Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka radhitur arritjet e qeverisë që ai udhëheq në fushën e kulturës për vitin 2022.
Sipas Kurtit, viti që lamë pas ishte vit i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, promovimit të artit dhe integritetit të sportit:
“Dyfishuam mbështetjen për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore;
Ngritëm në 65 numrin e monumenteve të shpëtuara falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve;
Përmes akteve nënligjore të trashëgimisë kulturore vendosëm standarde të licencimit të operatorëve, përcaktimit të perimetrit të aseteve, gërmimeve arkeologjike, projekteve të konservimit”, ka thënë Kurti.
Në rrafshin e sportit, Kurti ka përmendur licencimin e dhjetë federatave të sportit deri në fund të vitit 2022, mbështetjen për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive në Kosovë dhe ndarjen e bursave për profile deficitare në sport, art dhe trashëgimi kulturore.
Kurti ka përmendur edhe organizimin e Bienales nomade “Manifesta 14”, duke shtuar se gjatë 100 ditëve të këtij organizimi, u regjistruan 800 mijë vizita në 25 lokacione dhe se u ekspozuan vepra artistike të 103 artistëve nga 30 shtete.
“Themeluam institucionin e Operës së Kosovës, duke përmbushur një premtim progamor dhe një kërkesë shumëvjeçare të komunitetit artistik;
Opera e Kosovës vuri në skenë “La Traviata” të Verdit, shfaqja më e madhe operistike e luajtur ndonjëherë në Kosovë;
Pasuruam koleksionin shtetëror të artit duke blerë mbi 100 vepra të artit nga artistët vendorë;
Lansuam programin 5-vjeçar me vlerë 12 milionë euro “Kosova Shtet i Xhudos” me synim të promovimit dhe shtrirjes së sportit të xhudos në gjithë vendin;
Miratuam Projektligjet për Kinematografinë, të Drejtat e Autorit, Anti-Dopingun, si dhe koncept dokumentet për kulturën, rininë dhe për sportin;
Dyfishuam buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2022;”, ka thënë tutje Kurti.
“Nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë, Francën, Izraelin, Hungarinë, Turqinë, Bavarinë (Gjermani);
Fuqizuam bashkëpunimin kulturor me Shqipërinë me fokus në produksione të përbashkëta artistike dhe projekte të trashëgimisë kulturore;
Ndamë afër 15 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte në kulturë, rini dhe sport për 1492 përfitues;
Teatri Kombëtar i Kosovës u anëtarësua në Rrjetin Evropian të Teatrove;
Përfunduam 8 ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini, ndërkaq 17 tjera janë në ndërtim e sipër;
Komiteti Paralimpik i Kosovës u pranua në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar”, ka shtuar ai./FolDrejt/