Në mbledhjen e 103-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Kurti ka folur për miratimin e projektit-buxhetor për vitin 2023, me ç’rast kryeministri Kurti ka folur edhe për vitin e kaluar duke e konsideruar si më të suksesshmin në historinë e Kosovës sa i përket rritjes ekonomike.
Po ky trend pozitiv sipas kryeministrit e ka ndjekur edhe vitin që po lëmë pas, pavarësisht sfidave dhe krizës ekonomike.
“Viti i kaluar ishte viti më i suksesshëm në historinë e shtetit tonë për sa u përket të hyrave dhe rritjes ekonomike. Ky vit, me gjithë sfidat dhe krizat globale, vazhdoi trendin pozitiv, dhe na mundësoi të kemi një konsolidim të financave publike. Kjo na vendos në një trajektore të mirë edhe për vitin e ardhshëm fiskal, dhe si rezultat kemi një projeksion mjaft pozitiv nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.” – ka thënë kryeministri Kurti.
Tutje, në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka përmendur ndarjen buxhetore nëpër disa sektore të ndryshme: shëndetësi, bujqësi, arsim e mbrojtje që sipas kryeministrit janë prioritetet e Qeverisë.
“Shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritet i yni.” – ka thënë kryeministri Kurti.
“Kemi ndarë 296 milionë euro për sektorin e shëndetësisë në nivel qendror dhe lokal. E nga këto, 60 milionë euro janë për barna esenciale, për t’u siguruar që spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare janë mirë të furnizuara për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve. Rëndësi i kemi kushtuar edhe ndërtimit të infrastrukturës shëndetësore, duke shtuar buxhetin përkatës. Rritjen e buxhetit në infrastrukturën shëndetësore e kemi shoqëruar edhe me rritjen e numrit të stafit mjekësor ku kemi shtuar 400 pozita: 100 në nivel qendror dhe 300 në nivel lokal.
Në linjë me premtimin tonë për zhvillim të hershëm të fëmijëve, kemi vazhduar linjën buxhetore për ndërtimin e çerdheve, ku për këtë vit kemi buxhetuar ndërtimin e 11 çerdheve. E njëlloj sikurse në shëndetësi, investimet në infrastrukturë i kemi përcjellë me rritjen e kapaciteteve njerëzore. Kemi shtuar 243 pozita të reja për staf ashtu që të gjitha çerdhet e ndërtuara deri më tani të funksionalizohen, e gjithashtu kemi përmbushur premtimin tonë për 500 asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara.
E në kohën kur çmimet ndërkombëtare të ushqimeve po vazhdojnë të rriten, përveç mbështetjes shtesë që dhamë për bujqit tanë në vitin 2022, për vitin 2023 rritja e buxhetit ka vazhduar duke mbërrirë për herë të parë shifrën 87 milionë euro, që bashkë me mbështetjen nga fondet e jashtme, presim ta tejkalojmë vlerën prej 100 milionë euro, që ka qenë edhe premtim i yni.
Mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes në kontekstin aktual bëhet edhe më e rëndësishme. Andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për Policinë, dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë.
Shtesat për lehona e për fëmijë që i premtuam, i filluam në kohë kur të gjithë ishin skeptik se do të mund të realizoheshin, por ja që në vitin 2023 po e përmbushim premtimin tonë duke i përfshirë në skemë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare. E për këtë qëllim, kemi ndarë buxhet në vlerë prej 60 milionë euro.
Kthimi i terminaleve doganore shtetërore ishte gjithashtu njëri nga premtimet tona, materializimin e së cilit e filluam në vitin që lamë pas me hapjen e terminalit doganor shtetëror në Mitrovicë në hapësirat e ndërmarrjes publike Trepça, e në këtë vit me terminalin doganor shtetëror në Durrës e në Podujevë. Kësisoj do të vazhdojmë edhe me terminalin në aeroportin e Prishtinës dhe në Vermicë, si dhe me terminalet e tjera, për funksionalizimin e të cilave kemi ndarë 6 milionë euro.
Kemi buxhetuar përfundimin e rrugëve që tashmë janë në proces qe sa vite, si dhe kemi shtuar edhe buxhet për nisjen e zgjerimit të rrugës Prishtinë-Pejë, edhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.
Për banimin e përballueshëm, tani që kemi studimin e fizibilitetit të kompletuar, kemi paraparë nisjen e punës vitin që vjen, dhe njëkohësisht kemi filluar procedurat për të siguruar financimin e nevojshëm nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Do ta vazhdojmë edhe mbështetjen e ndërmarrjeve publike, në rikthimin e tyre në fitimprurëse, ashtu që ato të bëhen kontribues i zhvillimit ekonomik, prandaj përsëri kemi ndarë 40 milionë euro për investime në këto ndërmarrje.
Për rezervat shtetërore i kemi ndarë edhe 15 milionë euro shtesë për vitin 2023 për të vazhduar mbushjen e tyre, pas ndarjes prej 10 milionë euro për këtë vit në të cilin ndodhemi.
Dhe tani me mbështetjen e Bashkimit Evropian që morëm ditën e djeshme, do të kemi edhe 75 milionë euro të tjera që do të shkojnë për mbështetje të qytetarëve për të tejkaluar krizën energjetike. Kjo vjen shtesë mbi projektet e shumta në sektorin e energjisë që do të fillojnë së shpejti, siç është ai me zgjerimin e ngrohjes qendrore, parkun solar në KEK, e bateritë me MCC.
Në politikën e jashtme, fokusi i investimit buxhetor këtë vit do të jetë në Diplomaci Publike, Diplomaci Ekonomike dhe mërgatë.
Ka edhe shumë projekte e nisma tjera që janë në këtë buxhet, por ka edhe shumë sfida. Megjithatë, bashkërisht, do të duhej që përmes realizimit të Programit Qeverisës, dhe ekzekutimit të mirëfilltë të këtij buxheti, ta lehtësojmë jetën e qytetarëve, ta zhvillojmë ekonominë, dhe ta rrisim punësimin.” – ka thënë kryeministri Kurti në fjalën e tij në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës./FolDrejt/