Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit të objekti të ri të po kësaj agjencie.
Fillimisht kryeministri Kurti dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është pritur në takim nga zv.drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, i shoqëruar nga drejtorë dhe stafi i kësaj agjencie, ku krahas takimit vizituan zyrat dhe qendrën e të dhënave kadastrale, përcjell Fol Drejt.
Agjencia Kadastrale e ka një rol të rëndësishëm për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, regjistrave pronësor, për hartografe dhe sistemit të informacioneve gjeografike GIS, për infrastrukturë kombëtare të informacioneve hapësinore si dhe administrim të infrastrukturës së teknologjisë së informacioneve. Andaj, kryeministri Kurti tha se përkrahja e qeverisë për këtë institucion nuk do të mungojë, sepse nevojiten procese që zhvillohen në mënyrë transparente, të qasshme për qytetarët dhe të jenë në hap me kohën.
Ai tha se po bëhen ndryshime transformuese në shumë pjesë të institucioneve dhe të administratës shtetërore, e edhe këtu, duke kujtuar se për 20 vite përafërsisht 20 milionë euro janë investuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ndërsa tash gjatë qeverisjes dy vjeçare janë duke u investuar edhe rreth 16 milionë euro. “Pra, sa është investuar 20 vite nga qeveritë paraprake marrë bashkërisht ato, 80 për qind të asaj shume është duke u investuar vetëm deri në gjysmën e mandatit tonë”, u shpreh kryeministri.
Duke qenë të vetëdijshëm, që kadastri për një shtet është pasqyra në të cilën ai vend e shikon veten, kryeministri tha se duhet ta kemi sa më të saktë atë, që ta dimë se kush jemi e si dukemi.
Me këtë rast, ai tha se një sfidë e vazhdueshme e projekteve infrastrukturore kanë qenë shpronësimet. “Ato shpeshherë janë keqpërdorur në kurriz të qytetarëve. Kjo për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme, andaj puna e mirë dhe e drejtë është synimi ynë i vetëm”, tha kryeministri Kurti.
Gjatë vizitës, që ishte njëherësh edhe vizita e parë e një kryeministri në këtë agjenci të rëndësishme, ai u njoftua nga zv. Drejtori i Përgjithshëm, Ahmeti për aktivitetet dhe projektet që kjo agjenci ka në zbatim, ku u veçuan puna për shënimin e emrave dhe numrave të rrugëve, që tashmë është finalizuar në 11 komuna gjithsej, për përmirësimin e të dhënave të pronarëve, rrjetin e nivelimit dhe gjeoportalin e ri.
Pas vizitës dhe takimit aty, kryeministri Kurti, ministri Aliu dhe punonjës të Agjencisë së bashku me zv. Drejtorin Ahmeti, morën pjesë në vënien e gurthemelit të objektit të ri të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, me hapësirë rreth 4 mijë metra katrorë dhe me vlerë prej 2.1 milionë euro.
Ai tha se shteti është ai, i cili bën shënjim, bën emërtim, vë emra e numra. Deri më tash, në 11 komuna të Kosovës e kemi të përmbyllur çështjen e numrave të objekteve dhe emrave të rrugëve dhe përbrenda dy viteve do ta përmbyllim këtë proces në gjithsej 38 komuna anembanë Republikës sonë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti gjatë vizitës në Agjencinë Kadastrale të Kosovës:
I nderuar ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,
Të nderuar punonjës të Agjencisë Kadastrale të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se po e gjejmë njëri tjetrën në këtë mëngjes të sotëm. Parimet dhe objektivat e një agjencie shtetërore gjithmonë duhet të kenë në cak shërbimin e qasshëm, transparent dhe të shpejtë për qytetarët.
Agjencia Kadastrale e ka një rol të rëndësishëm për mirëmbajtjen e bazës së të dhënave kadastrale, regjistrave pronësor, për hartografe dhe sistemit të informacioneve gjeografike GIS, për infrastrukturë kombëtare të informacioneve hapësinore si dhe administrim të infrastrukturës së teknologjisë së informacioneve. Përkrahja e qeverisë për këtë institucion nuk do të mungojë, sepse nevojiten procese që zhvillohen në mënyrë transparente, të qasshme për qytetarët dhe të jenë në hap me kohën.
Ndryshimet transformuese po bëhen në shumë pjesë të institucioneve dhe të administratës shtetërore, e edhe këtu. Për 20 vite përafërsisht 20 milionë euro janë investuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, tash gjatë qeverisjes sonë dy vjeçare janë duke u investuar edhe rreth 16 milionë euro. Pra, sa është investuar 20 vite nga qeveritë paraprake marrë bashkërisht ato, 80 për qind të asaj shume është duke u investuar vetëm deri në gjysmën e mandatit tonë.
Përmes infrastrukturës së duhur ligjore me aprovim të Ligjit për infrastrukturën kombëtare të informacionit hapësinor dhe Ligjit për kadastër që pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Republikës, përkushtimi dhe investimi ynë në këtë agjenci mundëson që qytetarët të kenë shërbime të shpejta. Tani ata nuk duhet të presin me ditë të tëra për të tërhequr një dokument të pronësisë në komunë, por për një kohë shumë të shkurtër mund ta tërheqin dokumentin përmes shërbimeve online në e-Kosova, që e ka tejkaluar numrin prej 130 shërbimeve tanimë.
Digjitalizimi ka përshpejtuar punën përbrenda institucionit për qytetarët. Përmes digjitalizimit, qytetari tanimë mund edhe të ndjekë rrjedhën e lëndës së tyre, pra ta ndjekë edhe procesin e jo vetëm fillimin e mbarimin e tij.
Pritet, që në digjitalizim e sipër të kemi një aerofotografim të ri të territorit të Republikës dhe ta zhvillojmë projektin e krijimit 3D të objekteve të ndërtuara në vend.
Përbrenda dy viteve, do të vendosim edhe tabelat e fundit të adresave të rrugëve dhe numrat e objekteve për komunat e mbetura në territorin e Republikës sonë.
Këto janë vetëm disa nga shumë reforma që po i ndërmarrim bashkërisht. Agjencia Kadastrale e Kosovës, përbrenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, luan rol kyç edhe në përfundimin e suksesshëm të projekteve të shumta infrastrukturore.
Andaj, edhe detyra e përgjegjësia rritet përderisa edhe tani janë duke u zhvilluar paralelisht projekte të rëndësishme anembanë Kosovës.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm, që kadastri për një shtet është pasqyra, në të cilën ai vend e shikon veten. Andaj, duhet ta kemi sa më të saktë atë, që ta dimë se kush jemi e si dukemi.
Një sfidë e vazhdueshme e projekteve infrastrukturore kanë qenë shpronësimet. Ato shpeshherë janë keqpërdorur në kurriz të qytetarëve. Kjo për ne është e papranueshme dhe e patolerueshme, andaj puna e mirë dhe e drejtë është synimi ynë i vetëm.
Me këtë rast, më lejoni ta përgëzoj Ministrinë, ministrin Aliu që brenda dy viteve kemi arritur të përfundojmë pagesat për 75 milionë euro nga borxhi i gjithmbarshëm i shpronësimeve që ishte 183 milionë euro. Ndërkaq, 25 milionë euro tjera janë buxhetuar për këtë vit, i bie që për tri vjet nga gjithë borxhi i trashëguar 183 milionë euro do ta kryejmë rreth 55 për qind për tri vjetët e qeverisjes sonë dhe kur paraja publike pra menaxhohet mirë dhe nuk vidhet kemi më shumë punë të mira edhe më pak borxhe.
Marrë parasysh rëndësinë shtetërore të kadastrit për qytetarët edhe krijimi i kushteve të punës për stafin e Agjencisë është shumë i nevojshëm, andaj edhe jemi këtu sot që së bashku pas këtij takimi ta vendosim gurthemelin për ndërtesën e re me hapësirë rreth 4 mijë metra katrorë dhe me vlerë prej 2.1 milionë euro. Përgjatë përfundimit të saj do të sigurohemi që reformat në dobi të Agjencisë pra të qytetarëve të mos ndalen edhe kushte të mira për punëtorët, por edhe reforma të brendshme e punë për qytetarët.
Andaj urime dhe ta gëzoni me punë të mbara e me suksese në vijim.
Faleminderit!
Deklarata e plotë e Kryeministrit Kurti në vënien e gurthemelit të objektit të ri të Agjencisë Kadastrale të Republikës së Kosovës
Pra në këtë vend ku jemi tash së bashku këtu me ministrin Aliu, me Drejtorin e Agjencisë së Kadastrit të Kosovës, me shumë prej punëtorëve të kësaj Agjencie të Republikës sonë do të ketë ndërtesë të re të Agjencisë së Kadastrit në mënyrë që t’i kemi kushtet e duhura të punës për fushë veprimtarinë e tyre.
Me këtë rast dua t’i falënderoj ministrin Aliu, drejtorin e Agjencisë dhe të gjithë punëtorët për kontributin të cilin e kanë dhënë deri më tani dhe punët e mira që do t’i bëjmë në vijim bashkë. Për 20 vjet në kadastrin e Kosovës gjithsejtë janë investuar rreth 20 milionë euro mirëpo vetëm gjatë gjysmës së mandatit të qeverisjes sonë po investohen rreth 16 milionë euro që do të thotë se për gjysmë mandati sa 80 për qind të të gjitha qeverive paraprake marrë së bashku gjatë dy dekadave të kaluara.
Në anën tjetër, kjo ndërtesë, e cila kap vlerën diku prej 2.1 milionë euro, do t’i ketë 4000 metra katrorë, në mënyrë, që kushtet e punës për të punësuarit këtu, të jenë adekuate për reformat e shumta, të cilat ne do t’i ndërmarrim, në mënyrë që rindërtimi i kadastrit dhe transformimi digjital dhe komunikimi i bazave të ndryshme të të dhënave në shtetin tonë, të ketë komunikim të brendshëm, të lehtë dhe në këtë mënyrë pasqyra e shtetit, siç është kadastri të jetë e qartë dhe e saktë.
Pra, shteti është ai, i cili bën shënjim, bën emërtim, vë emra e numra. Deri më tash, në 11 komuna të Kosovës e kemi të përmbyllur çështjen e numrave të objekteve dhe emrave të rrugëve dhe përbrenda dy viteve do ta përmbyllim këtë proces në gjithsej 38 komuna anembanë Republikës sonë.
Pra, kur nuk ka shenja, kur nuk ka emërtime, emra e numra, ke situatë nomadike e neve na duhet situata shtetërore. Situata shtetërore është me emërtime e me shifra.
Shteti bën shenjim dhe kadastri është kyç për këtë qëllim tonin të përbashkët.
Andaj, edhe njëherë urime të gjithëve, jo vetëm që kanë punë me kadastrin në kuptimin e angazhimit që bëjnë, por edhe gjithë qytetarëve të Republikës, si përfitues, për këtë gurthemel, për ndërtesën e re të kadastrit tonë./FolDrejt/