Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar fabrikën e ashensorëve, e cila njëkohësisht është e vetmja në rajon, Liftkos, shkruan Fol Drejt.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari vizituan sot kompaninë Liftkos në hapësirat e Parkut të Biznesit, në Drenas.”, shkruan në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje në komunikatë thuhet se Liftkos Sh.P.K si pjesë e familjes gjermane, Schneider Steuerungstechnik GmbH (Lisa-Lift), është kompania e vetme në rajon që bën prodhimin e plotë të ashensorëve dhe e vetmja e certifikuar në Kosovë. Ajo ka të punësuar rreth 50 punëtorë prej të cilëve tetë inxhinierë të elektroteknikës dhe makinerisë, të gjithë të trajnuar në Kosovë dhe në Gjermani. “Atje u mirëpritën nga Hans Joachim Hemstedt, Drejtori Ekzekutiv, Endrit Shatri, Menaxher i Produktit, Donika Gashi, Udhëheqëse e Departamentit të inxhinierëve, dhe Lauras Haxhiu nga Departamenti i shitjeve me të cilët folën për historikun, karakteristikat dhe punën e kompanisë. Nën shoqërimin e tyre, panë nga afër edhe linjën e prodhimit. Liftet që prodhohen këtu janë me cilësi dhe kontroll maksimal të sigurisë sipas standardeve gjermane dhe janë të certifikuar nga institucioni më i lartë për ashensorë në Evropë, Liftinstituut. 50% e prodhimit e eksporton në Gjermani, nga ku importon motorin dhe dyert e ashensorëve, kurse pjesën tjetër të produkteve i ka të dedikuara për tregun vendor, kryesisht për objekte të hotelerisë dhe biznesore. Ashensori më i shpejtë në Kosovë, i cili aktualisht është në fazën e testimit, është prodhim i Liftkos. Shpejtësia e tij arrin 2.5 metra në sekondë.”, theksohet në vazhdim të njoftimit. Aty thuhet se kjo kompani ofron versionin e fundit të kontrollorëve të ashensorit me shumë funksione të veçanta, dhe është prodhues i kontrollerëve të ashensorit dhe pjesës elektronike komanduese. Krahas katër llojeve të lifteve për katër peshë të ndryshme, ajo bën prodhimin e platformave peshëngritëse, dhe ashensorëve invalidorë, dhe bën montimin, riparimin dhe mirëmbajtjen profesionale të ashensorëve. Gjithashtu bën edhe montimin e shkallëve të lëvizshme.Kryeministri Kurti ka falënderuar Drejtorin Ekzekutiv Hemstedt për mikpritjen e përzemërt dhe për rolin, angazhimin dhe kontributin e tij që falë prodhimeve cilësore të Liftksos ta fusë Kosovë në hartën e vendeve që prodhojnë për tregun evropian. /FolDrejt/
Deklarimi i plotë i Kryeministrit Kurti: Ishte kënaqësi dhe nder që ta vizitojmë fabrikën Liftkos Shneider dhe të bashkëbisedojmë së pari me Drejtorin Ekzekutiv Hans Joachim Hemstedt dhe po ashtu edhe me menaxherët e punëtorët e tjerë në këtë kompani e cila e ka edhe produktin e certifikuar edhe vetë është e certifikuar. Punojnë rreth 50 punëtorë prej të cilëve janë 8 inxhinierë, 4 të elektroteknikës dhe 4 të makinerisë dhe 2 studentë të cilët po bëhen inxhinierë pikërisht duke punuar këtu. Liftet që prodhohen këtu janë lifte të cilët e kanë maksimalisht edhe kontrollin e cilësisë edhe masën e sigurisë në mënyrë identike sikurse në Gjermani. Andaj nuk është edhe e befasishme që gjysma e prodhimit të liftave në këtë fabrikë është për eksport në Gjermani dhe gjysma është për tregun vendor. Ne patëm rastin që të bashkëbisedojmë me punëtorët, të shohim linjën e prodhimit por gjithashtu edhe të udhëtojmë me këta lifte të cilët e kanë marrë edhe certifikimin prej Lift Institutit që është institucioni më i lartë sa i përket cilësisë dhe sigurisë së lifteve përkatësisht standardizimit, normimit të tyre me seli në Amsterdam të Holandës. Gjithashtu ja vlen të theksohet se Liftkos Shneider është e vetmja fabrikë në Ballkan që ka linjë të prodhimit të lifteve dhe prej këtu liftet dalin të kompletuar për treg. Unë e falënderoj z. Hemstedt për këtë mikpritje të përzemërt por edhe për rolin edhe angazhimin dhe kontributin e tij që me këtë cilësi të lartë ta fus Kosovën në hartën e vendeve që prodhojnë për tregun evropian por në të njëjtën kohë që kanë edhe punëtorë të kualifikuar edhe inxhinierë shumë të zotë që e bëjnë planifikimin, dizajnin dhe përgatitjen.