Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vizituar sot kompaninë “Adaptech LLC” në Prizren.
Kryeministri Kurti tha se ka kënaqësinë që të vizitojë një kompani siç është Adaptech, e themeluar në vitin 2016, e cila ofron zgjidhje softuerike të përshtatshme për bizneset.
Një pjesë e stafit janë punësuar përmes platformës Superpuna, të cilëve kompania u kishte ofruar vend pune të rregullt pas përfundimit të periudhës mbështetëse 6-mujore.
Ajo ka 15 punëtorë dhe operon në sektorin e IT me fokus në eksportin e shërbimeve. Ofron shërbime në fushën e teknologjisë informative me specializim autoshkollat, dhe deri tani ka shënuar eksport të shërbimeve mbi 1.5 milionë euro, kryesisht në tregun e Gjermanisë.
“Ky është një shembull i mirë se si të rinjtë tanë mund të punojnë për klientë nga Evropa, pa pasur nevojë të migrojnë”, u shpreh kryeministri.
Në fillim të vitit 2021, vetëm 28 mijë të rinj nën moshën 25 vjeçare ishin të punësuar. Tani në marrëdhënie pune janë rreth 61 mijë të rinj nën moshën 25 vjeçare, apo dyfish më shumë, kjo falë edhe politikave qeveritare të punësimit, sikurse platforma Superpuna.
Kryeministri Kurti dhe ministri Murati e falënderuan pronarin e kompanisë Asmo Hasani dhe të gjithë stafin për mikpritjen dhe i uruan atyre suksese të vazhdueshme.