Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot, fabrikën “Gacaferi Glass” në komunën e Pejës, një kompani familjare e cila është edhe përfituese e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Kryeministri Kurti tha se kjo fabrikë e cila i ka 18 punëtorë, ka arritur që jo vetëm ta plasojnë prodhimin e tyre, dyer dhe dritare të plastikës dhe të aluminit dhe xhamat e qelqit në tregun kosovar, por gjithashtu edhe të eksportojnë madje edhe në Gjermani dhe në Zvicër, përcjell Fol Drejt.
“Nga masa 2.1 për subvencionimin e kredive investive kanë përfituar për një makineri shumë të vlefshme e cila ndihmon në produktet cilësore që i ka kjo fabrikë. Makineri pneumatike por edhe automatike e robotike të cilët bëjnë saldim, prerje e kështu me radhë”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti i cili shoqërohej nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se bashkërisht shprehën mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për këto biznese të vogla e të mesme, që siç uroi ai, sa më parë të bëhen të mesme e një ditë edhe të mëdha.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se është kënaqësi që ta vizitojnë një biznes kosovar prodhues i cili kontribuon në rritjen e vlerës dhe në krijimin e vendeve të punës.
“Ne diskutuam përveç arritjeve edhe sfidat dhe mënyrat se si qeveria mund të ndihmojë këtë kompani, por edhe kompanitë tjera në mënyrë që të jenë sa më konkurruese në tregun evropian dhe ndërkombëtar”, tha ajo në përfundim të vizitës.
Deklarimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu në Pejë tek fabrika ‘’Gacaferi Glass’’ një kompani familjare e cila fillet e saj i ka në fillim të viteve ’80-ta të shekullit të kaluar. I kanë 18 punëtorë dhe kanë arritur që jo vetëm ta plasojnë prodhimin e tyre, dyer dhe dritare të plastikës dhe të aluminit dhe xhamat e qelqit në tregun kosovar por gjithashtu edhe të eksportojmë madje edhe në Gjermani dhe në Zvicër. Nga masa 2.1 për subvencionimin e kredive investive kanë përfituar për një makineri shumë të vlefshme e cila ndihmon në produktet cilësore që i ka kjo fabrikë. Makineri pneumatike por edhe automatike e robotike të cilët bëjnë saldim, prerje e kështu me radhë. Me këtë rast, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ne shprehëm mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për këto biznese të vogla e të mesme që sa më parë të bëhen të mesme e një ditë edhe të mëdha në mënyrë që edhe të kenë përfitim si kompani private me pronarë e punëtorë por njëkohësisht edhe ekonomia e vendit tonë të jetë gjithnjë e më e avancuar.
Unë e falënderoj shumë familjen Gacaferi për mikpritjen e tyre dhe për këtë angazhim të palodhshëm që e bëjnë këtë punë profesionale e të ndershme.
Bashkë me neve është dhe menaxherja Rrona dhe prindi i saj e ministrja jonë./FolDrejt/