Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, vizituan organizatën joqeveritare Diakonie, ku u pritën nga drejtori ekzekutiv, Bernd Baumgarten.
Kryeministri pa nga afër dhe vlerësoi punën që bëhet nga kjo organizatë në qendrën e trajnimeve, qendrën e terapisë, fermën që angazhon personat me aftësi të kufizuara, punën në këshillim dhe ndihmë për të kthyerit, kopshtin e fëmijëve, si dhe punën në grupe psikosociale me të rinj dhe fëmijë. Gjatë vizitës u vlerësua veçanërisht përkrahja që u ipet personave në nevojë dhe të margjinalizuar, që kanë më së shumti nevojë për ndihmë.
Ai theksoi rëndësinë e qasjes nga poshtë-lart, kur bëhet fjalë për ndryshimet në status quo, e të cilin e zbaton kjo organizatë, që sjellë ndikim të vërtetë dhe të qëndrueshëm në komunitet dhe shoqëri.
Po ashtu vizitoi qendrën e trajnimeve Diakonie Training Center (DTC), ku takoi të rinjtë nga komunitete të ndryshme që vijojnë trajnimet në këtë qendër në lëmi të ndryshme, si: ndërtim i thatë, instalime të ujësjellësit, instalime elektrike shtëpiake, qeramikë, instalime të ngrohjes qendrore, parukeri, rrobaqepësi, mobileri, berber dhe gjuhë angleze.
Përfaqësuesit e organizatës e njoftuan kryeministrin se në këtë qendër ndjekin aftësime profesionale rreth 600 kandidatë në vit. Po ashtu, biseduan për bashkëpunimin me shkollën e mesme Arkitekt Sinani, në Mitrovicë, për kryerjen e pjesës praktike profesionale në dy profile.
Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme nga qeveria dhe organizatat gjermane, gjatë kësaj vizite u bisedua për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale për veprimtarinë e kësaj organizate, në dobi të komunitetit dhe shoqërisë./FolDrejt/