Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa ministra të kabinetit të tij qeveritar, ka takuar sot për të pestën herë radhazi kryetarët e komunave të Kosovës.
Siç ka njoftuar vetë kryeministri Kurti, në këtë takim që zgjati rreth tre orë rresht u diskutua ndër tjerash për investimet kapitale në komuna, tatimin në pronë, të hyrat vetanake, buxhetin për vitin 2024, dhe për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare 2030.
“Në kryeministri zhvilluam takimin e pestë në total me kryetarët e komunave, të katërtin në formatin e sotëm dhe të tretit brenda këtij viti.
Së bashku me ministrin Krasniqi, ministren Nagavci, ministrat Murati dhe Peci dhe zëvendësministrin Dobra, për tre orë rresht diskutuam ndër të tjera për investimet kapitale në komuna, tatimin në pronë, të hyrat vetanake, buxhetin për vitin 2024, dhe për kandidaturën e Kosovës për Lojërat Mesdhetare 2030.
Vlera totale e investimeve kapitale në komuna në vitin e kaluar ishte 146.2 milionë euro apo rreth 65% e buxhetit të planifikuar – tradicionalisht trendi i shpenzimeve kapitale sillet pikërisht rreth 60-70% të buxhetit të planifikuar. “, është shprehur kryeministri Kurti në postimin e tij në Facebook.
“Vlera e tatimit në pronë të mbledhur këtë vit është 70% më e lartë sesa në vitin e kaluar për periudhën e njëjtë. Për këtë i falënderova kryetarët e komunave. E meqë tatimet në pronë konsiderohen të hyra vetanake të komunave, kjo nënkupton se këtë vit, ato tashmë kanë të hyra ndjeshëm më shumë se vitin e kaluar. Për këtë i urova. Ndërkohë që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka proceduar në Kuvendin e Republikës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Tatimin në Pronë në të cilin parashihen disa ndryshime siç janë: progresiviteti i normës tatimore, përjashtimi tatimor për vendbanimin primar dhe tokat bujqësore, faljen tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, interesit dhe gjobave.
Muajin e kaluar, Komisioni i Granteve miratoi ndarjen e granteve për komuna për periudhën 2024-2026. Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë buxhet për komuna gjatë kësaj qeverisjeje se sa asaj të mëparshme.
Do të vazhdojmë takimet koordinuese, komunikimin e rregullit, bashkëpunimin e afërt e mbështetjen e fuqishme, në shërbim të qytetarëve.”, ka shtuar kryeministri Kurti tutje./FolDrejt/