Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, po kërkon shtrëngim të mëtejshëm të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke thënë se masat e marra deri tani nuk janë të mjaftueshme.
Kryeministri polak u takua të shtunën në Varshavë me Presidenten e Parlamentit të BE-së, Roberta Metsola, në një qendër pritjeje për refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë.
Ai tha se kursi i këmbimit të rublës ruse është kthyer në nivelin që kishte para sulmit rus në Ukrainë, një tregues që Moska sipas tij, po i shpëton ndëshkimit nga sanksionet.
Morawiecki tha se “nuk do të ketë kthim në normalitet” për sa kohë që sovraniteti i Ukrainës kërcënohet dhe bëri thirrje për vendosjen e “sanksioneve reale” ndaj Rusisë.
Në Poloni aktualisht janë më shumë se 2.4 milionë refugjatë nga Ukraina, më shumë se çdo vend tjetër të Bashkimit Evropian.