Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur sot në takim homologun nga Kosova, Albin Kurti.
Siç njofton Rama përmes një postimi në facebook, gjatë drekës së sotme diskutuan me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj, transmeton Fol Drejt.
“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë.
Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor.”, ka shkruar Rama në një postim në facebook./FolDrejt/