Në fjalimin e tij në Këshillin e Evropës, kryeministri Rama ka thënë se është i vetëdijshëm për madhësinë dhe kapacitetin e Shqipërisë.
Megjithatë, sipas tij, kjo është madhështia e të qenit kryeministër i një vendi të vogël, sepse nuk merr vendime të rëndësishme për botën, por i ndjek ato, transmeton Fol Drejt.
“Unë jam kryeministri i Shqipërisë. Jam i gjatë 1.98 centimetra, por jam i vetëdijshëm për madhësinë e vendit tim. Nuk mendoj se Shqipëria mund ta ketë kapacitetin e as pretendimin që t’i tregojë botës se çka duhet të bëjë. Por, kjo është edhe gjëja e mrekullueshme e të qenit kryeministër i një vendi të vogël. Ti nuk merr vendime të rëndësishme për botën, i ndjek ato. Jemi mjaft të angazhuar në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian, ndaj aleancës perëndimore dhe NATO-s. Jemi vendi më pro-europian në Europë mbështetur në anketat e BE-së dhe më pro-amerikanë sesa teksanët, kështu që jemi në rregull me gjithçka që bëjnë këta të mëdhenjtë kur bëhet fjalë për panoramën e madhe”.
“Nuk i takon Shqipërisë të thotë nëse Rusia duhet të përjashtohet ose jo. Nëse doni ta përjashtoni Rusinë, ne jemi të lumtur ta përjashtojmë. Nëse doni ta mbani, ne e mbajmë. Nuk jemi ne që e sundojmë botën dhe duam që Shqipëria dhe shqiptarët të respektohen plotësisht dhe duam që rajoni jonë të begatohet duke punuar krahë për krahë me Serbinë dhe duke u siguruar që mosmarrëveshjet tona të mos jenë arsye për të çelur konflikte të reja, por në të njëjtën kohë duke i lënë njerëzit të kuptojnë se cilësia e demokracisë nuk ka të bëjë me sa bie dakord me tjetrin, por se sa në mënyrë të hijshme nuk bie dakord. Besoj se këtë e dini, sepse shumica prej jush jeni të martuar”, është shprehur kryeministri Rama./FolDrejt/