Kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin, ka deklaruar se ekonomia ruse do t’i kthehet rritjes pas rreth një viti.
Duke folur në Forumin e Dytë Ekonomik të Kaspikut në Moskë, Mishustin tha se në vitet 2024 dhe 2025 rritja do të jetë e qëndrueshme, e nxitur nga konsumi i brendshëm dhe kërkesa për investime, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Mishustin theksoi se qeveria pret që sanksionet perëndimore të kenë karakter afatgjatë. Ai shtoi se qeveria do të vazhdojnë të llogarit rreziqet e mundshme, të zbusë pasojat e tyre, të përmirësojnë mjetet ekzistuese kundër sanksioneve, si dhe të zhvillojnë mekanizma shtesë të reagimit.
“Ekonomia ruse dëshmon aftësinë e saj për t’u përshtatur pavarësisht sanksioneve të shkallës së paprecedentë”, tha Mishustin.
Sipas tij, shtetet e Kaspikut përjetojnë vështirësi për shkak të turbulencave në ekonominë globale dhe tensionit gjeostrategjik, ndërsa Perëndimi, tha ai, po shton presionin ndaj vendeve që po mbrojnë interesat e tyre kombëtare.
“Gjuha e ultimatumeve është e papranueshme për ne. Asnjë shtet nuk ka të drejtë të imponojë vullnetin e tij ndaj të tjerëve, veçanërisht të përdorë mjete presioni që prekin interesat e qytetarëve të thjeshtë dhe biznesit privat”, tha kryeministri rus.
Në vitin 2018, presidenti i Turkmenistanit, Gurbanguly Berdymuhamedov, sugjeroi idenë e mbajtjes së Forumit Ekonomik të Kaspikut në baza të përhershme për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik midis vendeve të Kaspikut, respektivisht Azerbajxhanit, Iranit, Kazakistanit, Rusisë dhe Turkmenistanit./FolDrejt/