Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal gjatë një konference të përbashkët me Nënsekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për Çështjet Humanitare Martin Griffiths tha se këtë vit Kombet e Bashkuara kanë ofruar më shumë se 4.5 miliardë dollarë ndihmë humanitare për Ukrainën, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Këtë vit Kombet e Bashkuara kanë ndarë më shumë se 4.5 miliardë dollarë për të ofruar ndihmë humanitare për popullsinë e Ukrainës, të prekur nga agresioni i armatosur rus, dhe atyre ukrainasve që janë larguar nga vendi. Ne e vlerësojmë këtë mbështetje dhe shpresojmë që Kombet e Bashkuara të mbajnë ndihmën të paktën në të njëjtin nivel në vitin 2023. Ne kemi rënë gjithashtu dakord të zhvillojmë fusha shtesë të ndihmës”, tha Shmyhal.
Sipas Shmyhal, detyra prioritare e Ukrainës tani është që t’ia dalë mbanë gjatë periudhës sfiduese të dimrit. Rreth 12 milionë ukrainas po përballen me mungesë të furnizimit me energji elektrike. Ndonjëherë njerëzit mbeten pa energji elektrike për disa ditë.
“Qeveria po bën çdo përpjekje për të kapërcyer pasojat e sulmeve ruse, pasojat për popullsinë dhe ekonominë. Në të njëjtën kohë, Ukraina ka nevojë për mbështetje shtesë në restaurimin e menjëhershëm të sistemit energjetik”, theksoi Shmyhal.
Në këtë drejtim, Kryeministri i Ukrainës falënderoi Kombet e Bashkuara për një grup gjeneratorësh, të cilët tashmë janë dorëzuar dhe do të ndihmojnë ukrainasit këtë dimër. /FolDrejt/