Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson tha se “që tani e tutje Turqia është vendi i vetëm që duhet të marrë vendim” në procesin e anëtarësimit të vendit të tij në NATO, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Kristersson mori pjesë në konferencën e përbashkët për media që u mbajt pas takimit me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez, në ndërtesën e kryeministrisë Moncloa në Madrid.
Në konferencën për media, AA pyeti kryeministrin suedez Kristersson, pas deklaratës së kreut të NATO-s, Jens Stoltenberg se Suedia i ka përmbushur të gjitha përgjegjësitë e saj kundrejt Turqisë, nëse mund të garantojë aktualisht Turqinë dhe popullin turk se nuk do të lejojë që organizata terroriste PKK të kryejë propagandë terroriste në Suedi.
“Me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg bisedova këtë mëngjes në telefon dhe i përcolla se i bashkohem plotësisht mendimeve të tij. Suedia ka përmbushur të gjitha kushtet e marrëveshjes që ka bërë me Turqinë. I ka bërë ato që duhet të bënte. Jemi treguar të respektueshëm. Që tani e më pas vendimmarrësi i vetëm lidhur me anëtarësim në NATO është Turqia, jo ne. Ne i njohim plotësisht problemet që Turqia ka përjetuar nga terrorizmi edhe sulmet terroriste me të cilat ajo është përballur edhe jashtë territoreve të Suedisë. Sigurisht që asnjë qeveri nuk mund të japë garanci se në vendin e saj nuk do të ndodhë më asnjë sulm terrorist. Por ne po bëjmë ndryshime ligjore për të ndëshkuar ata që kryejnë sulme të tilla”, u përgjigj Kristersson.
Në anën tjetër edhe kryeministri spanjoll, Sanchez, duke përsëritur mbështetjen e vendit të tij ndaj procesit të anëtarësimit të Suedisë në NATO, tha se “Anëtarësimi i Suedisë do të ndihmojë që NATO të jetë më e fortë dhe më e përgatitur ndaj sulmeve të mundshme”.
Sanchez dhe Kristersson në bisedën e tyre njoftohet se diskutuan për çështjet si luftën Ukrainë-Rusi, punimet mbi Paktin e Migracionit dhe Strehimit të BE-së i cili pritet të miratohet në fund të vitit 2023, projektet e ri-industrializimit dhe energjisë së gjelbër në BE, si dhe inteligjenca artificiale.
Sanchez vuri theksin se periudha e ardhshme do të jetë “më shumë komplekse dhe e vështirë”, kryesisht me efektin e luftës.
Kryeministri spanjoll po ashtu tha se “mohon me një gjuhë të qartë” pretendimet se do të kandidojë për detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.