Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot familjen Shala nga fshati Ponesh i Komunës së Gjilanit, e cila humbi mbrëmë katër anëtarë në një aksident trafiku në fshatin Mramor të Prishtinës.
‘Familjes Shala nga Poneshi i Gjilanit, e cila nga aksidenti i djeshëm humbi katër familjarë, i shpreha ngushëllimet më të thella, në emër të Qeverisë dhe tërë popullit të Kosovës’, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.
Ai ka shtuar se Qeveria e vendit do t’i qëndroj afër kësaj familje për humbjen e tyre të madhe edhe përmes ndihmës financiare.
Ndryshe, mbrëmë rreth orës 17:00 në magjistralen Prishtinë-Gjilan, saktësisht në fshatin Mramor ka ndodhur aksidenti ku janë përfshirë tri automjete.
Si pasojë e aksidentit, lëndime kanë pësuar gjashtë persona, ku dy prej tyre kanë vdekur në vend, ndërsa dy të tjerë në QKUK.