Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka pranuar një letër urim nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, në të cilin ajo, në emër të Qeverisë dhe popullit estonez ka uruar kryeministrin dhe popullin e Kosovës për përvjetorin e shpalljes së pavarësisë, transmeton Fol Drejt.
Në mes tjerash, në këtë letër, kryeministrja e Estonisë, Kallas, u shpreh veçanërisht e lumtur për takimin e nëntorit të vitit të kaluar në Talinn, për të cilin ajo tha se ka qenë mundësi e mirë për të riafirmuar mbështetjen e Estonisë për integrimin e Kosovës në BE, duke përfshirë liberalizimin e vizave.
“Dëshiroj gjithashtu t’ju siguroj se Estonia mbetet një mbështetëse e vendosur e aspiratave evropiane të Republikës së Kosovës. Ju urojmë suksese në rrugën tuaj drejt familjes sonë në BE”, thuhet më tej në letrën e kryeminstres Kallas drejtuar kryeministrit të vendit, Kurti.
Letër urimi i plotë:
Përkthim jozyrtar
I nderuar Albin,
Në emër të qeverisë dhe popullit të Estonisë, kam nderin t’ju përcjell juve dhe popullit të Kosovës urimet më të mira dhe urimet më të sinqerta me rastin e përvjetorit të 15-të të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Jam veçanërisht e lumtur që ju mirëprita personalisht në Talin në nëntor të vitit të kaluar. Ishte një mundësi e mirë për të riafirmuar mbështetjen e Estonisë për integrimin e Kosovës në BE, duke përfshirë liberalizimin e vizave. Ishte veçanërisht e vlefshme të dëgjoja drejtpërdrejt pikëpamjet tuaja dhe të ministrave tuaj për situatën në rajon.
Në kohët e sotme të turbullta, vlerësoj shumë marrëdhëniet e mira, ndarjen e mendimeve të përbashkëta dhe bashkëpunimin mes vendeve tona. Dëshiroj gjithashtu t’ju siguroj se Estonia mbetet një mbështetëse e vendosur e aspiratave evropiane të Republikës së Kosovës. Ju urojmë çdo sukses në rrugën tuaj drejt familjes sonë në BE.
Shpresoj sinqerisht se marrëdhëniet ekzistuese miqësore ndërmjet Kosovës dhe Estonisë do të thellojnë më tej bashkëpunimin tonë dhe do të forcojnë marrëdhëniet ndërmjet popujve tanë.
Ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, konsideratën time më të lartë.