Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha se trajtimi i ndryshimeve klimatike kërkon përpjekje të përbashkëta dhe se vendi i saj do të bëjë pjesën e vet mbi përpjekjet ndaj ndryshimeve klimatike.
Meloni mbajti një fjalim në Konferencën e 27-të të Palëve të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP27), të mbajtur në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Meloni, e cila mori pjesë në takimin e saj të parë ndërkombëtar pas fitores në zgjedhjet në Itali dhe formimit të qeverisë së koalicionit të krahut të djathtë, tha: “Italia është fuqimisht e përkushtuar ndaj dekarbonizimit, në përputhje me qëllimet e COP Paris, dhe Italia do të bëjë pjesën e saj”.
Duke kujtuar se synojnë të ulin emetimet e gazeve serrë në Evropë me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030, kryeministrja Meloni deklaroi se ata si Itali kanë forcuar kapacitetet e tyre për energjinë e rinovueshme.
Meloni tha se duan të zhvillojnë strategjitë e tyre të diversifikimit të energjisë me disa vende afrikane me të cilat kanë forcuar bashkëpunimin e tyre për sigurinë energjetike dhe burimet e rinovueshme.
Meloni theksoi se lufta kundër ndryshimeve klimatike kërkon përpjekje të përbashkëta.
“Ne po kalojmë një moment vendimtar në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Në muajt e fundit kemi parë efektet e saj dramatike në Evropë, Pakistan, Bririn e Afrikës dhe gjetkë në planet. Të gjithë jemi të thirrur të bëjmë përpjekje më të thella dhe më të shpejta për të mbrojtur planetin tonë të përbashkët. Ne duhet të bashkojmë qëndrueshmërinë ekonomike dhe sociale”, tha ajo.
Në kuadër të konferencës, Meloni zhvilloi takime dypalëshe me presidentin pritës egjiptian, Abdel Fattah es-Sisi, kryeministrin e Britanisë, Rishi Sunak ,dhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres./FolDrejt/