Edhe kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas vrasjes në orët e mbrëmjes, në të cilën mbeti e vrarë një grua shtatzënë 35-vjeçe, bashkë me foshnjën e saj.
“Sonte u troditëm nga vrasja makabre e gruas 35 vjeçare, në oborrin e QKUK-së, që rezulton se ishte shtatzënë në ditët e fundit të pritjes për ta sjellë në jetë fëmijën e saj.
Edhe një vrasje e një gruaje nga burri i saj brenda pak ditësh pasi një tjetër grua u vra me sëpatë nga burri i saj në shtëpinë e saj.
Në momente të tilla, nuk ka fjalë që përshkruan mllefin dhe dhimbjen që secilin prej nesh ndien.”, ka shkruar Konjufca në facebook.
Sipas tij, këto ngjarje pikërisht në kohën kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me baza gjinore, tregon domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror.
Konjufca ka vazhduar përkrahjen ndaj grave e vajzave në postimin e tij, duke thënë se ato nuk janë vetëm në këtë betejë.
“Ngjarje si këto në javën e fundit, pikërisht në kohën kur po shënohet fushata globale kundër dhunës me bazë gjinore, tregon domosdoshmërinë për përkushtim dhe reagim institucional e shoqëror. Gratë dhe vajzat nuk janë vetëm në këtë betejë.
Iu bej thirrje institucioneve të rendit të bejnë çmos që ta kapin vrasësin. Kurse institucioneve të drejtësisë që t’ia japin dënimin e merituar.
Bashkëndiej me familjen, të afërmit dhe miqtë e viktimës dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta!”, ka shkruar Konjufca./FolDrejt/