Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur kundër vendimit të Kryesisë së Kuvendit për të mos ia ulur pagën.
Konjufca ka thënë që ka abstenuar në nismën e Kryesisë, duke thënë që si parlamentar nuk do ta lejojë një gjë të tillë për të cilën thotë se është e paligjshme, sipas Ekonomiaonline.
“Kryesia e ka marrë një vendim që unë kam abstenuar, m’u ka dukur vendim i paligjshëm. Kryetarit të Kuvendit mos i zbritet paga. Vendimi që e morri Kryesia ishte që të mos zbritet paga e kryetari jo që të rritet, të mbetet ajo që ka qenë më herët”, ka thënë Konjufca.
“Unë e kam dhënë edhe udhëzime për Administratën që çfarëdo vendimi që ata marrin që kryetarit mos me iu zbritë paga, kjo nuk ka mundësi të bëhet përveç nëse merrni vendime të paligjshme. Këto vendime nuk do të merren, këtë nuk do ta lejoj”.
“Ligji pagave i zbret pagat, 1780 paga bazë është tash. Sa i përket shtesë 30% parashihet me ligj, në Kuvend e kam vetëm një shtesë atë të kryetarit. Çdo shtesë është e paligjshme. Kështu që paga e kryetarit duhet të trajtohet me Ligjin e pagave është pagë e zbritur për së paku 500 a 600 euro”.