Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, po qëndron për vizitë zyrtare në Austri.
Përmes një njoftimi në profilin zyrtar në Facebook, ai ka njoftuar se ka takuar kryetarin e Parlamentit, Këshillit Kombëtar të Austrisë, Wolfgan Sobotka, transmeton Fol Drejt.
Konjufca ka shprehur mirënjohjen dhe falenderimin për mbështetjen dhe kontributin që ka dhënë Austria “për pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe konsolidimin e shtetit tonë që një kohë të gjatë”.
Njoftimi i plotë i kryeparlamentarit Konjufca:
“Sot, në vizitën time zyrtare në shtetin e Austrisë, pata kënaqësinë që të takohem me kryetarin e Parlamentit, Këshillit Kombëtar të Austrisë, mikun tim z.Wolfgang Sobotka.
Jam thellësisht falënderues për rolin, mbështetjen dhe kontributin që Austria ka dhënë për pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe konsolidimin e shtetit tonë që një kohë të gjatë.
Shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen që aktualisht Austria po i jep procesit të integrimit të Kosovës dhe rajonit të Ballkanit në Bashkimin Europian.
Kemi nevojë të mëtejshme për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe ndërshtetëror në fusha të ndryshme me interes dypalësh, e në veçanti për promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve direkte nga kompanitë austriake në Kosovë. Në këtë mënyrë, do të forcohen edhe më shumë lidhjet historike, miqësore e kulturore midis vendeve dhe popujve tanë.”/FolDrejt/