Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka qëndruar sot për vizite zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Siç njofton vetë Konjufca, ai gjatë kësaj vizite është pritur nga homologu, Talat Xhaferi dhe nga presidenti Stevo Pendarovski, transmeton Fol Drejt.
“Gjatë takimeve të ngrohta e tejet miqësore shkëmbyem mendime për aktualitetin politik, zhvillimet rajonale dhe mbështetjen e ndërsjellë në rrugën e integrimit evropian të shteteve tona.
Në diskutimet përmbajtësore mbizotëroi fryma e pajtimit të plotë rreth interesave të përbashkëta të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, është shprehur Konjufca.
“Gjithashtu i vlerësuam të shkëlqyera marrëdhëniet e deritashme dhe ritheksuam gatishmërinë për kultivimin e mëtutjeshëm të raporteve tona, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërparlamentar, duke konsideruar se avancimi i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha sferat me interes të përbashkët i kontribuon zhvillimit të ndërsjellë, stabilitetit të rajonit dhe më gjerë.
Me Presidentin Pendarovski dhe Kryetarin Xhaferi ndamë pikëpamje të njëjta se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet sa më parë në BE dhe në NATO, meqë një hap i tillë nuk do të linte hapësira destabilizimi në rajonin tone”, ka shtuar tutje ai./FolDrejt/