Hykmete Bajrami nga radhët e LDK-së ka komentuar zhvillimet e sotme, me ç’rast në aksionin bastisës së Policisë së Kosovës u arrestua Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të MINT-it.
E përgjegjës për gjithë këto zhvillime, duket se Bajrami po e konsideron kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.
“Policia dhe Prokuroria duhet t’i shkojnë deri në fund aksionit të sotëm për keqpërdorimin e rezervave shtetërore dhe jo vetëm sepse ajo çka po ndodhë me tenderë njëburimor, me kritere joligjore në kontrata multimilionëshe ia kalon aferës së rezervave shtetërore.
Secili që ka përgjegjësi duhet të japë llogari në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve se në këtë vend ka drejtësi dhe se hajnat shkojnë në burg.
Përgjegjësinë kryesore duhet ta kërkojmë te Kryeministri Albin Kurti.“, ka thënë Bajrami.
“Kryetari i Vetëvendosjes është kryepërgjegjësi për funksionimin e secilit dikaster, është përgjegjës edhe për keqpërdorimin e rezervave shtetërore, duke marrë për bazë faktin se një mik i tij komplet jashtë institucioneve përfshihet në tenderë. Ai dhe ministrat e tij duhet gjithashtu të mbahen përgjegjës për përfshirjen e zyrtarëve të Vetëvendosjes në kontrabandë me drogë, për koordinimin e Mimoza Kusarit me Radojcicin, për hajnitë në KEK për nepotizmin dhe të gjitha skandalet tjera.
Sepse i ka marrë 51 për qind të votave me propagandë që kushdo që s’është me LVV është hajn dhe të gjithë ata që ju bashkuan turmës me 14 shkurt 2021 janë pastërtia vet, por në fakt pushteti i Vetëvendosjes po kundërmon drogë, korrupsion dhe pazarllëqe në kurriz të popullit.”, është shprehur Bajrami më tej, përcjell Fol Drejt.