Gazeta e pavarur ruse “Novaya Gazeta” do të nxjerrë në ankand medaljen e Çmimit Nobel për Paqen të fituar nga kryeredaktori i saj, Dmitry Muratov, për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
Muratov tha se një numër i “fëmijëve të plagosur dhe të sëmurë” që kërkonin “trajtim urgjent” e detyruan atë të ofronte medaljen prestigjioze, transmeton Fol Drejt.
Muratov, bashkëthemeluesi i “Novaya Gazeta”, fitoi Çmimin Nobel për Paqen tetorin e vitit të kaluar për punën e tij të palodhshme në mbrojtje të lirisë së fjalës në Rusi.
Kryeredaktori në deklaratë theksoi nevojën urgjente për një armëpushim, shkëmbim të të burgosurve dhe sigurimin e korridoreve humanitare.
Të ardhurat nga shitja e medaljes do të shkojnë për Fondacionin e Ndihmës për Refugjatët Ukrainas, një organizatë joqeveritare që përpiqet të “sigurojë mbështetje morale dhe materiale për refugjatët nga Ukraina”.
Më shumë se 3.5 milionë refugjatë kanë ikur deri tani nga Ukraina, sipas përditësimit të fundit nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët.
Muratov e përfundoi deklaratën e tij duke thënë se ai po aplikon në shtëpitë e ankandeve për të marrë përgjigje se sa do të ofrojnë për këtë çmim të njohur për të gjithë botën./FolDrejt/