Ndonëse në sistemet demokratike vlerësimi e punësimi janë të drejta të garantuara me kushtetutë për të gjithë, pa dallim gjinie, race a besimi, te ky i yni, në nivelin lokal, kryetarët vazhdojnë t’i diskrimojnë gratë. Pavarësisht që kërkohet të vlerësohen edhe ato, nëpër institucione komunale, kur është fjala për emërime drejtorish, të parët e komunave nuk e kanë bërë dhe nuk janë duke e bërë këtë. Shifrat tregojnë se në këtë nivel të pushtetit janë favorizuar burrat, duke u shmangur kësisoj njëri nga elementet e demokracisë: Barazia!
Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Gjatë fushatave zgjedhore politikanët që synojnë kreun e komunave mbushin hapësirën publike me parulla, moto e premtime, se kur do t’i fitojnë ata këto pozita, do të kujdesën për një kuotim të balancuar bazuar në vlerësim të barabartë si për burrat, ashtu edhe për gratë, në kuptimin e udhëheqjes së dikastereve. Por kur vihen në krye të pushtetit, ata i braktisin premtimet, i shkelin fjalët që kanë dhënë dhe i diskrimojnë gratë duke ua lënë pjesën dërrmuese të drejtorive vetëm burrave. Këtë e faktojnë emërimet e tyre dhe të dhënat e komunave që ata udhëheqin.
Sipas hulumtimit nga Fol Drejt bazuar në të dhënat e web faqeve zyrtare të 27 komunave në Kosovë, janë gjithsej 302 drejtori komunale, nga të cilat dy drejtori aktualisht nuk kanë emërime. Nga 300 drejtori të tjera komunale, 211 drejtori qeverisen nga burrat dhe vetëm 89 drejtori qeverisen nga gratë.
Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, barazia gjinore është e rregulluar edhe me ligj si vlerë themelore për emancipimin dhe zhvillimin demokratik të shoqërisë. Më konkretisht në nenin 7 pika 2 shkruan:
“Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat e tjera të jetës shoqërore”.
Komunat e pabarazisë
Komunat që as për së afërmi nuk kanë dhënë vlerësim në emërim drejtorish për të niveluar kuotimin gjinor janë komuna Malishevës, Istogut, Fushë Kosovës, Klinës Rahovecit, Lipjanit, Ferizajit, Gjakovës, Dragashit, Mitrovicës, Podujevës, Shtimes, Skënderajit, Deçanit dhe Pejës. Në pabarazi e padrejtësi ndaj grave kur është fjala për të drejtuar drejtoritë bëjnë pjesë edhe Vitia, Gjilani, Vushtrria, Kaçaniku, Prizreni, Prishtina dhe Suhareka. Në komunat e lartshkruara qeverisin NISMA Socialdemokratike, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Listimi i komunave:
MALISHEVA: Qeveriset nga Ekrem Kastrati (NISMA). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Dhjetë drejtori qeverisen nga burrat dhe një drejtori qeveriset nga një grua.
ISTOGU: Qeveriset nga Ilir Ferati (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 13 drejtori. Njëmbëdhjetë drejtori qeverisen nga burrat dhe dy drejtori qeverisen nga gratë.
FUSHË KOSOVA: Qeveriset nga Burim Berisha (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Nëntë drejtori qeverisen nga burrat dhe një drejtori qeveriset nga një grua. Aktualisht Drejtoria e Planifikimit Urban nuk ka emërim.
KLINA: Qeveriset nga Zenun Elezaj (AAK). Qeverisja komunale përbëhet nga 10 drejtori. Nëntë drejtori qeverisen nga burrat dhe një drejtori qeveriset nga një grua.
RAHOVECI: Qeveriset nga Smajl Latifi (AAK). Qeverisja komunale përbëhet nga 12 drejtori. Dhjetë drejtori qeverisen nga burrat dhe dy drejtori qeverisen nga gratë.
LIPJANI: Qeveriset nga Imri Ahmeti (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 13 drejtori. Dhjetë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
FERIZAJI: Qeveriset nga Agim Aliu (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Nëntë drejtori qeveriset nga burrat dhe dy drejtori qeverisen nga gratë.
GJAKOVA: Qeveriset nga Ardian Gjini (AAK). Qeverisja komunale përbëhet nga 12 drejtori. Nëntë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
DRAGASHI: Qeveriset nga Bexhet Xheladini (LDK). Qeverisja komunale përbëhet 8 drejtori. Shtatë drejtori qeverisen nga burrat dhe një drejtori qeveriset nga një grua.
MITROVICA: Qeveriset nga Bedri Hamza (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 14 drejtori. Dhjetë drejtori qeverisen nga burrat dhe katër drejtori qeverisen nga gratë.
PODUJEVA: Qeveriset nga Shpejtim Bulliqi (LVV). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Tetë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
SHTIME: Qeveriset nga Qemajl Aliu (LVV). Qeverisja komunale përbëhet nga 9 drejtori. Shtatë drejtori qeverisen nga burrat dhe dy drejtori qeverisen nga gratë.
SKËNDERAJI: Qeveriset nga Fadil Nura (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Tetë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
DEÇANI: Qeveriset nga Bashkim Ramosaj (AAK). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Tetë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
PEJA: Qeveriset nga Gazmend Muhaxhiri (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 14 drejtori. Nëntë drejtori qeverisen nga burrat dhe pesë drejtori qeverisen nga gratë.
VITIA: Qeveriset nga Sokol Haliti (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 10 drejtori. Shtatë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
GJILANI: Qeveriset nga Alban Hyseni (LVV). Qeverisja komunale përbëhet nga 12 drejtori. Tetë drejtori qeverisen nga burrat dhe katër drejtori qeverisen nga gratë.
VUSHTRRIA: Qeveriset nga Ferit Idrizi (PDK). Qeverisja komunale përbëhet 12 drejtori. Tetë drejtori qeverien nga burrat dhe katër drejtori qeverisen nga gratë.
KAÇANIKU: Qeveriset nga Besim Ilazi (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 9 drejtori. Gjashtë drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
PRIZRENI: Qeveriset nga Shaqir Totaj (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 13 drejtori. Tetë drejtori qeverisen nga burrat dhe pesë drejtori qeverisen nga gratë.
PRISHTINA: Qeveriset nga Përparim Rama (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 16 drejtori. Nëntë drejtori qeverisen nga burrat dhe shtatë drejtori qeverisen nga gratë.
SUHAREKA: Qeveriset nga Bali Muharremaj (AAK). Qeverisja komunale përbëhet nga 10 drejtori. Gjashtë drejtori qeverisen nga burrat dhe katër drejtori qeverisen nga gratë.
Komunat që i janë afruar barazisë
Nga 27 komuna në hulumtim janë pesë komuna të cilat e kanë balancuar vlerësimin e kuotimit gjinor. Këto komuna janë Kamenica dhe Elez Hani, ndërsa për së afërmi janë Juniku, Kastrioti dhe Drenasi. Kamenica është e vetmja komunë që drejtoritë ua ka besuar më shumë grave sesa burrave, ndërsa Elez Hani ka barazuar emërimet nga katër drejtori për burrat dhe katër drejtori për gratë.
Listimi i Komunave:
KAMENICA: Qeveriset nga Kadri Rrahimaj (LVV). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Pesë drejtori qeverisen nga burrat dhe gjashtë drejtori qeverisen nga gratë.
ELEZ HANI: Qeveriset nga Mehmet Ballazhi (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 8 drejtori. Katër drejtori qeverisen nga burrat dhe katër drejtori qeverisen nga gratë.
JUNIKU: Qeveriset nga Ruzhdi Shehu (LDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 7 drejtori. Katër drejtori qeverisen nga burrat dhe tri drejtori qeverisen nga gratë.
KASTRIOTI: Qeveriset nga Xhafer Gashi (Iniciativa Qytetare e Kastriotit). Qeverisja komunale përbëhet nga 11 drejtori. Gjashtë drejtori qeverisen nga burra dhe pesë drejtori qeverisen nga gratë.
DRENASI: Qeveriset nga Ramiz Lladrovci (PDK). Qeverisja komunale përbëhet nga 12 drejtori. Gjashtë drejtori nga burrat dhe pesë drejtori qeverisen nga gratë. Aktualisht drejtoria e Administratës së Përgjithshme nuk ka emërim.
Edhe sa i përket emërimeve për nënkryetarë komunash, të parët e komunave sërish i kanë favorizuar burrat në pozitat kryesore kur e kanë marrë kryesimin e komunave. Nga 27 komuna në 28 pozita nënkryetarësh janë emëruar njëzet e dy burra dhe vetëm gjashtë gra./FolDrejt/