Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka pritur sot në takim Ambasadoren e Maltës për Kosovën, Juliana Scerri Ferrante, me të cilën diskutuan për bashkëpunimin në mes bizneseve të dy vendeve dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të këtij bashkëpunimi.
Rafuna vlerësoi mundësinë për të kërkuar ura të reja biznesore ndërmjet Kosovës dhe Maltës.
“Bashkëpunimi me Maltën është miqësor e intensiv që nga ditët e para të shtetit të Kosovës. Kosova duhet të mësojë nga përvoja e bizneseve të Maltës me Bashkimin Evropian”, u shpreh Kryetari Rafuna dhe shtoi se “bizneset e dy vendeve mund të bashkëpunojnë edhe më shumë në shumë sektorë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ambasadorja u shpreh se mundësitë më të mira të bashkëpunimit ekonomik do të ishin në sektorin e teknologjisë informative, në produktet farmaceutike dhe sistemin shëndetësor në tërësi.