Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur sot Jim Xhemën në Odën e Kryeqytetit.
Për këtë ai reagoi në një postim në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Z. Jim Xhema, Kryeqyteti – Prishtina ju është përjetësisht mirënjohës për zemrën tuaj të madhe, atdhedashurinë dhe kontributin e çmuar që dhatë për çlirimin e Kosovës.
Kishim nderin ta mirëpresim z. Jim Xhema në Odën e Kryeqytetit.
I shoqëruar nga z. Christopher Hyland dhe delegacioni përcjellës nga Federata Panshqiptare “VATRA”, bashkë kujtuam vizitën historike të senatorit Dole në vitin 1990 në Prishtinë dhe takimin e tij me Presidentin Ibrahim Rugova dhe figura të tjera të lëvizjes shqiptare të atëhershme. Moment ky i njohur si “pikë kthesë për lirinë e Kosovës, që ia hapi sytë e bashkësisë ndërkombëtare mbi abuzimet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut”, sepse, qysh atëherë, zoti Dole u bë zë i fuqishëm në politikën amerikane për çështjen e Kosovës.
Senatori Dole u angazhua deri aty, sa falë ndikimit të drejtpërdrejtë të z. Jim Xhema, në vitin 1992, Presidenti i asokohshëm amerikan, George Bush, ia shpalli ”vijën e kuqe” Beogradit, paralajmërimin e qartë të qeverisë amerikane që të mos e provojë agresionin në Kosovë.
Gjatë gjithë kësaj kohe, njeriu që qëndronte përherë në prapaskenë, lobonte tek Senatori Dole, e pajiste me informata, ia mundësonte udhëtimet, takimet dhe kontaktet me liderët e
Kosovës, e njoftonte mbi zhvillimet dhe çështjet, ishte shqiptari ynë, Jim Xhema – të cilit do t’i jemi përherë mirënjohës!”, u shpreh Rama./FolDrejt/