Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka nisur sot vizitën e tij zyrtare disa ditore në Japoni, përcjell Fol Drejt.
Rama ka njoftuar se ka takuar zëvendës ndihmës ministrin për Çështjet Evropian, Kimitake Nakamura, për ta takuar më pas edhe kryetarin e qytetit Minato, Masaaki Take.
“Sot nisa vizitën zyrtare disa ditore në Japoni me një takim të përzemërt me Zëvendës Ndihmës Ministrin për Çështjet Evropiane, z. Kimitake Nakamura, të cilin fillimisht e falënderova për ndihmën e pakursyeshme të Qeverisë së Japonisë. Më tutje biseduam për fusha të reja të bashkëpunimit ndërmjet Kryeqytetit dhe institucioneve në Japoni.”, ka bërë të ditur Rama.
“Informova z. Nakamura për iniciativën për të emërtuar parkun e ri në “Arbëri” me emrin e ish Kryeministrit japonez “Shinzo Abe” në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Republikës së Kosovës.
Gjatë ditës po ashtu patëm takim edhe me z. Masaaki Take, kryetar i qytetit Minato në Japoni. Biseduam për vendosjen e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të Prishtinës e Minatos, në veçanti në fushat e teknologjisë informative, komunikimit, të artit dhe kulturës. Ndër të tjera u dakorduam të fillojmë me vizita reciproke të artistëve të njohur nga të Prishtinës dhe Minatos.
Falënderoj Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Japoni, z.Sabri Kiçmari i cili ishte me ne gjatë vizitave.”, ka shtuar Rama më tej.