Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kujtuar në 22 vjetorin e rënies, mjekun e shquar të luftës, dr. Shpëtim Robaj.
Kryetari Veseli në shkrimin e tij thekson se doktor Robaj u angazhua deri në flijim për të shpëtuar jetët e shumë luftëtarëve të lirisë dhe pjesëtarëve të popullatës civile.
“Në këtë 22 vjetor të rënies së Shpëtim Robaj, shpreh respektin e mirënjohjen për të gjithë ata punonjës shëndetësor që u vunë në shërbim të luftës për liri deri në vetëmohim” shkruan Veseli në Facebook.
Postimi i plotë i z. Veseli:
Më 30 shtator të vitit 1998, ka humbur jetën prej një mine të vendosur nga forcat serbe në Likoc të Drenicës, veprimtari dhe mjeku i shquar i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shpëtim Robaj. Doktor Robaj u angazhua deri në flijim për të shpëtuar jetët e shumë luftëtarëve të lirisë dhe pjesëtarëve të popullatës civile. Sikurse ai, gjatë luftës sonë të lavdishme për liri i janë përgjigjur thirrjes së atdheut e kanë rënë dëshmorë shumë mjek sikurse qenë: Lec Gradica, Hafir Shala, Izet Hima, Igballe Oshlani, Vesel Elezi, Blerim Dema, Fahredin Hoti, Masar Radoniqi, Faton Huma, Nuredin Zejnullahu, Xhevat Gashi e të tjerë.
Në këtë 22 vjetor të rënies së Shpëtim Robaj, shpreh respektin e mirënjohjen për të gjithë ata punonjës shëndetësor që u vunë në shërbim të luftës për liri deri në vetëmohim. Kosova krenohet me punonjësit e saj shëndetësor, të cilët gjithmonë i janë gjetur pranë popullit tonë me misionin e tyre humanitar. Me këtë rast falënderimet më të mëdha iu takojnë atyre edhe sot, për punën e palodhur e të përkushtuar që kanë bërë në luftën kundër koronavirusit, duke e rrezikuar jetën dita-ditës. Disa prej tyre fatkeqësisht edhe e kanë humbur jetën në krye të detyrës duke u shndërruar në heronj të heshtur të Kosovës së pavarur.