Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.
Ai me anë të një postimi në facebook, ka reaguar ndaj veprimeve të djeshme, duke cilësuar se bandat kriminale mund edhe të mos marrin pjesë në zgjedhje, por nuk mund ta diktojnë mbajtjen ose jo të zgjedhjeve.
“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre”, ka shkruar Kryeziu.
“Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shtuar ai./FolDrejt/