Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se sot kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve, përcjell Fol Drejt.
Këtu përfshihen ata që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore.
“Sot kemi përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues.
Numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës. “, ka thënë Nagavci.
“Nga të gjitha këto aplikime, janë identifikuar vetëm 75 raste me gabime për të cilat prindërit do të njoftohen për rishikimet e nevojshme.
Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore.
Ju sigurojmë se çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve.”, ka shtuar ajo më tej.