Një vit më parë, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti.
I mbështetur nga komunitetet jo serbe, qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje, u konstituua e përbërë ashtu siç përbëhet edhe tani: nga tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, transmeton Fol Drejt.
Atë kohë Kurti u shpreh se zgjedhjet ishin historike dhe të tillë ai e quajti edhe përgjegjësinë.
“S’ka dyshim se këto zgjedhje ishin historike, po aq historike është edhe përgjegjësia”, tha Kurti.
Por në fakt sa ka qenë “historike” kjo përgjegjësi?
Në nëntë mujorin e qeverisë kryeministri Kurti publikoi një video përmes së cilës përmblodhi sipas tij sukseset e qeverisjes, ndër to:
-
- Vaksinat – Marrëveshja me Phizer – rreth 1.2 milion doza të vaksinës
- Mbështetja për lehonat dhe shtesat për fëmijë, ku për fëmijët 0-24 muaj do të jetë rimbursimi në vlerë 20 euro në muaj, kurse mbi 24 muaj deri në moshën 16 vjeçare rimbursimi do të jetë në vlerë 10 euro në muaj
- Mbështetja e bizneseve, të gjitha kreditë deri në 2 milionë euro mbështeten me 20 për qind
- Policia e Kosovës për 9 muaj ka realizuar 509 operacione, 111 plane operative, 893 bastisje, 42 grupe kriminale të shkatërruara
- Reciprociteti i targave me Serbinë
- Luftimi i kontrabandës
- Pranimi i refugjatëve afganë
- Vettingu në Drejtësi
- Gjykata komerciale
- Instituti për krimet e luftës
- Ligj për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme
- Rritja ekonomike
- Politika e Jashtme – pritjet dhe vizitat
- Arsimi pa pagesë – Arsimi i lartë publik pa pagesë Bachelor dhe Master
- 11 marrëveshje bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë
- Rekrutimet e reja në Forcën e Sigurisë së Kosovës
- Komandanti i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës
- Votimi i Buxhetit 2022
Sipas Kurtit dhe kabinetit qeveritar, këto janë sukseset e arritura për nëntë muaj, por a e bëjnë këto “historike” përgjegjësinë e qeverisë?
Para se t’i fitonte zgjedhjet Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte premtuar se do t’i kushtonte kujdes të veçantë dialogut me Serbinë. Ai deklarohej se nuk do të bënte dialog pa kushte me Serbinë dhe gjithashtu kur ishte në opozitë ishte deklaruar se do të bënte dialog me serbët e Kosovës por jo me Serbinë.
“Lëvizja “Vetëvendosje” synon ta transformojë dialogun e “mbyllur” diplomatik në Bruksel në dialog të hapur demokratik me serbët e Kosovës, duke i parë ata si qytetarë të Republikës së Kosovës”, ishte shprehur Lëvizja e Kurtit.
Këto në fakt ndërruan me ardhjen në pushtet të Kurtit. Kjo sepse Kurti shkoi të bënte dialog me Serbinë edhe pa i vendosur kushtet për të cilat kishte folur.
Në mesin e qëndrimeve të ndryshuara të kryeministrit Kurti në veçanti janë edhe ato në librin e tij “ZGJOHU për Rezistencën Drejt Lirisë”. Pikërisht njeriu të cilin e zgjodhi të bëhej pjesë e ekipit për dialogun me Serbinë, Veton Surroi është prej të përfolurve në atë libër.
“Flaka Surroi është në panik. Dhjetëra mijëra njerëz brohorisnin “Poshtë Grupi Negociator i Kosovës”. E, vëllau i saj, Veton Surroi, është pjesë e spikatur e atij grupi që po e tregton vullnetin e popullit të Kosovës me armikun e Kosovës, Serbinë. Kjo s’do të thotë që Veton Surroi nuk është konsisent. Përkundrazi. Pikërisht Veton Surroi mundohej ta shpëtonte Jugosllavinë në fund të 80-tave e fillim të 90-tave me UJDI-n; në vitin 1993 ai i ftoi shqiptarët që të dalin në zgjedhje të Serbisë; më 15 maj 1998 u takua me Milosheviçin për t’ia mundësuar atij që shqiptarët t’i ndajë në terroristë (siç i quante ai luftëtarët e UÇK-së) dhe të tjerë para se t’ia fillonte ofensivës në fshatrat e Kosovës kundër UÇK-së; ndërkaq, në verën e vitit 1999 shkruante për fashizmin shqiptar për të fituar edhe më shumë donacione nga inxhinierët e multietnicitetit”, shprehet Kurti.
Po për ta vlerësuar në përgjithësi punën e qeverisë përgjatë kësaj periudhe relativisht të gjatë, Fol Drejt ka biseduar me politikologun Albinot Maloku, i cili është shprehur se nga kjo qeveri është pritur shumë dhe nuk ka pasur edhe aq prurje sa ishin pritjet.
“Një vit i një qeverie nga e cila është pritur mjaft shumë, nuk është se solli edhe aq. Arsyetime plot, gjëra të prekshme pak. Në rrafshin e diplomacisë përveç incidenteve asnjë anëtarësim apo raporte të reja diplomatike. Mirëpo, në konsideratën time krejt kjo qasje e qeverisë me potencial numrash në Kuvend vije edhe si pasojë e situatës në të cilën gjendemi, pra qeveri pa opozitë. Kritika duhet të adresohet me theks të veçantë edhe ndaj kësaj opozite e cila është treguar mjaft impotente në raport me mosbëmat e qeverisë”, u shpreh Maloku.
Duhet theksuar se nga të dhënat jashtë qeverisë gjërat kanë një reflektim tjetër. Shumë nga të rinjtë në vetëm dy muaj kanë tentuar largimin drejt Gjermanisë. Vetëm në dhjetor të vitit 2021 për vizë gjermane kanë aplikuar 56 mijë e 639 kosovarë dhe në janar të vitit 2022, ka pasur 48 mijë e 962 aplikime për vizë pune. Pra për dy muaj, për t’u larguar nga Kosova kanë aplikuar mbi 100 000 qytetarë.
Këto statistika u komentuan edhe nga Kurti. Kryeministri, thjesht, e cilësoi si shqetësuese ikjen e të rinjve:
“Është e vërtetë se një ndër gjërat që na shqetëson më shumë është ikja e të rinjve. Kjo ka vazhduar nga viti në vit, ndonjëherë më pak ndonjëherë më shumë. Për bindjen time, mungesa e punësimit dhe sidomos e punësimit në profesionin e caktuar të të riut ka ndikuar që ata të emigrojnë nga vendi ynë. Besoj që dy gjërat që ne po përpiqemi ta mbajmë rininë tek ne është luftimi i krimit dhe korrupsionit që ta rrisim besueshmërinë në institucione korrekte e të drejta.”
Kurti si kryeministër nuk ka reshtur së foluri për “sukseset” e arritura gjatë mandatit të tij.
Më 17 shkurt të këtij viti, në Seancën Speciale dedikuar festës së Pavarësisë së Kosovës, Kurti ka folur rreth sukseseve të qeverisë së tij, me ç’rast opozita në shenjë proteste u largua nga salla. Nga opozita kjo u pa si sjellje e jashtëzakonshme, pasi seanca ishte rreth festës së Pavarësisë së Kosovës e jo punës së qeverisë Kurti.
Ndikimi i pandemisë dhe së fundmi edhe konflikti në mes të Rusisë dhe Ukrainës ka ndikuar në tregun botëror por edhe atë vendor. Qytetarët e Kosovës janë ankuar se është rritur çmimi por jo edhe paga. Mielli, vaji, buka, qumështi, vezët dhe gjëra esenciale si këto iu servuan qytetarit kosovar me çmim të dyfishuar.
Ndërmarrjet private, marketet, njëkohësisht edhe vendet ku qytetarët e Kosovës furnizohen me gjëra ushqimore bënë rritjen e çmimeve duke i dyfishuar ato dhe duke i lënë raftet e zbrazëta me pretekstin se nuk ka furnizim të mjaftueshëm. Kjo shkaktoi panik në mesin e qytetarëve dhe ata blenë me çmimin e dyfishuar, duke i zbrazur kështu raftet e dyqaneve ushqimore.
Për këtë Qeveria dhe inspektorati reagoi rreth dy ditë më vonë, ku pasuan dënimet për marketet të cilat i rritën çmimet.
Në këtë rast humbja më e madhe në fakt iu shkaktua qytetarëve të panikuar rreth gjendjes përmes së cilës bënë propagandë bizneset e pakontrolluara nga shteti e Qeveria.
Në njëvjetorin e Kurti 2, ka reaguar publikisht lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Krasniqi në një konferencë për media ka reaguar duke e quajtur si qeveri të paaftë dhe jo kompetente:
“Në përgjithësi ky vit i qeverisjes së kryeministrit Kurti mund të përshkruhet në shumë drejtimet, por të gjitha drejtimet e kanë një emërues të përbashkët dhe ky emërues është paaftësia.”
Ai kështu i ka quajtur edhe planin edhe idetë e kësaj qeverie.
Duhet thënë se liderët e tjerë opozitarë, nuk kanë qenë aq të zëshëm në këtë përvjetor, ndërsa në opinionin publik vijon të komentohet puna njëvjeçare e Qeverisë Kurti II. Duket qartë, që kjo e fundit, do të shpëtoj me pak kritika./ZamiraRexhepaj/FolDrejt/