Cristiano Ronaldo pranon se nuk priste ta mbyllte sezonin duarbosh te Al Nassr, por sulmuesi portugez 38-vjeçar thotë se është i lumtur në Arabinë Saudite dhe shpreson që emra të tjerë të mëdhenj do ta ndjekin atë në ligë për sezonin e ardhshëm.
Ronaldo nënshkroi një kontratë dyvjeçare me klubin saudit Al Nassr, e vlerësuar nga mediat se vlen më shumë se 200 milionë euro (220.16 milionë dollarë), dhe debutoi në janar. Ai shënoi 14 gola në 16 ndeshje, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndihmuar ekipin e tij të fitonte titullin e ligës pasi Al Nassr përfundoi i dyti, pas klubit Al Ittihad.
Portugezi, i cili humbi ndeshjen e fundit për shkak të lëndimit, tha se liga ishte shumë e barabartë, por kishte shumë hapësirë për përmirësim.
“Ne kemi ekipe shumë të mira, lojtarë shumë të mirë arabë, por infrastruktura duhet të përmirësohet pak më shumë. Edhe gjyqtarët, sistemi VAR duhet të jetë pak më i shpejtë”, tha ai në një intervistë për SPL.
“Por unë jam i lumtur këtu, dua të vazhdoj këtu, do të vazhdoj këtu”, ka shtuar tutje.
“Të gjithë janë të mirëpritur këtu”
Ronaldo tha se është përshtatur me jetën në klub, edhe pse ka shumë dallime në krahasim me kohën e tij në Evropë, ku luajti për skuadra si Manchester United, Juventus dhe Real Madrid.
“Në Evropë ne stërvitemi më shumë në mëngjes, dhe këtu stërvitemi pasdite, domethënë natën. Kur fillon Ramazani, stërvitemi në orën 10 të mbrëmjes”, shtoi ai.
Që nga ardhja e Ronaldos, disa lojtarë të tjerë kryesorë janë lidhur me një lëvizje në ligën saudite, me Lionel Messin që ka marrë një ofertë zyrtare për t’iu bashkuar klubit Al Hilal sezonin e ardhshëm. Ish-bashkëlojtari i Ronaldos dhe fituesi i Topit të Artë, Karim Benzema thuhet se ka marrë një ofertë nga Al Ittihad me vlerë më shumë se 100 milionë euro.
“Nëse vijnë lojtarë të mëdhenj dhe emra të mëdhenj, lojtarë të rinj, lojtarë të vjetër, të gjithë janë të mirëpritur,” tha Ronaldo.
“Nëse kjo ndodh, liga do të përmirësohet. Mosha nuk ka rëndësi”, ka deklaruar ai, transmeton Fol Drejt.