Turistët e huaj do të mbajnë maska dhe do të marrin sigurime shëndetësore private gjatë udhëtimeve të tyre.
Qeveria japoneze rihapi portat kufitare për turistët e huaj pasi qëndruan të mbyllura për dy vite për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), shkruan Anadolu AA, transmeton Fol Drejt.
Vendimi për heqjen e masave kufitare ndaj turistëve të huaj u njoftua nga Agjencia Japoneze e Turizmit (JTA), e cila megjithatë shtoi se në periudhën e re, vendet do të ndahen në tri kategori në varësi nga “trendi i rasteve pozitive”.
Për sa kohë që vendet janë në grupin “e kaltër”, që konsiderohet me rrezik të ulët, kushtet e karantinës dhe testimit për COVID-19 nuk do të kërkohen në hyrje.
Ky grup aktualisht përfshin 98 vende dhe rajone, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Kinën dhe Korenë e Jugut.
Kërkesë për maskë dhe sigurim shëndetësor
Për pasagjerët që nisen nga grupi “i verdhë” do të kërkohen 3 doza vaksine kundër COVID-19. Ata që janë vaksinuar do të përjashtohen nga karantina dhe testimi.
Ata që nuk mund të dokumentojnë se janë vaksinuar dhe pasagjerët me origjinë nga vendet e “grupit të kuq” që konsiderohet me rrezik të lartë, do t’i nënshtrohen testimit dhe karantinës.
Turistëve të huaj do t’u kërkohet të mbajnë maska dhe të bëjnë sigurime shëndetësore private gjatë udhëtimeve të tyre.
Nga ana tjetër, fluturimet ndërkombëtare drejt dhe nga destinacionet e njohura turistike Hokkaido në veri dhe Okinawa në jug do të rifillojnë.
Qeveria kishte rritur në fillim të muajit kapacitetin ditor të hyrjes së pasagjerëve në 20 mijë.
32 milionë turistë të huaj vizituan vendin në vitin 2019./FolDrejt/